Kryesia e Kuvendit: Të mërkurën dhe të enjten Kuvendi mban seancë plenare, ky është rendi i ditës

14:59 | 20 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Kuvendi i Republikës së Kosovë përmes një komunikate ka njoftuar se të mërkurën, më 22 mars dhe të enjten, më 23 mars 2023, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca.

Në seancën e të mërkurës Kuvendi do të trajtojë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa të enjten do të mbajë seancë të re.

Pas votimit të projektligjeve për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare, në Kuvend do të zhvillohet debat me kryeministrin Albin Kurti lidhur me bisedimet e fundit Kosovë-Serbi, për të vijuar me shqyrtimin e Projekt-rezolutës për dyvjeçarin e Qeverisë Kurti II.

Në vazhdim pritet të votohet në parim për Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, si dhe për atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe formimin e Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar.

Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, për t’u pasuar me zgjedhjen e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Në seancën e të enjtes pritet të shqyrtohen në parim edhe dy projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë dhe ai për organizimin e tregut për produktet bujqësore.

Pikë e fundit e rendit të ditës ndërkaq do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Kryesia në mbledhjen e sotme, konform përgjegjësive të saj kushtetuese shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme