Abazoviç mbështet rivalin e Gjukanoviçit: Mali i Zi do një president të ri

12:24 | 20 Mars 2023
L G

Kryeministri në detyrë në Mal të Zi, njëherësh kryetari i URA, Dritan Abazoviç njoftoi se kjo parti do të mbështesë kandidatin për president të Lëvizjes Evropa Tani, Jakov Milatoviç, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Abazoviç përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor për korrektësinë e tyre politike dhe qasjen mjaft konstruktive në ditët e fundit, me theks të veçantë për Jakov Milatoviç, i cili ka mbështetje për një fitore në raundin e dytë, shkruan Vijesti.

E gjithë rrjedha e fushatës, dita e zgjedhjeve dhe shpallja përfundimtare e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, sipas Abazoviç, paraqet një fitore të madhe për demokracinë në Mal të Zi.

“Pa tensione, me retorikë pajtuese, në një fushatë të shkurtër dhe të relaksuar, Mali i Zi tregoi fytyrën e tij evropiane. Qytetarët pa frikë votuan për të preferuarit e tyre dhe thanë pa mëdyshje se duan president të ri”, ka thënë Abazoviç.

Zgjedhjet presidenciale të zhvilluara më 19 mars në Malin e Zi, nuk sollën fitues në raundin e parë.

Presidenti aktual, njëherësh kandidatii Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç do të përballet në raundin e dytë me kandidatn e Lëvizjes Evropa, Jakov Milatoviç.

Gjukanoviç arriti të sigurojë 35.2% të votave, por ky rezulat ishte i pamjaftueshëm për të siguruar fitoren që në raundin e parë. Ndërkaq, rivali i Gjukanoviçit, Milatoviç ka siguruar 29.2% të votave. /Euronews Albania/

Të ngjashme