Qytetarët po vazhdojnë të paguajnë pothuajse dyfishin e çmimeve për produktet esenciale siç janë: buka, qumështi, vezët, vaji etj.
Edhe pse inflacioni në muajin shkurt ka shënuar rënie për 2 për qind, shumë nga produktet po shiten me çmime të paarsyeshme dhe po keqpërdoret pozita e tregtareve.
Njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se rënia e inflacionit nuk është zyrtare, pasi çmimi i energjisë elektrike do vazhdojë të ketë rritje.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala në një prononcim për “Arbresh.info” ka thënë se ndryshimi në inflacion lëviz nga 0.3 deri në 0.5.
“Kemi një variacion në mes të inflacionit dhe stabilitetit ose situatës aktuale të çmimeve të disa produkteve bazë. Variacioni ose ndryshimi lëviz nga 0.3 deri në 0.5 sipas statistikave të fundit”, deklaroi Shala.
Sipas Shalës, trupat inspektues të shtetit duhet që t’i vizitojnë ndërmarrjet furnizuese në vend që të harmonizohet çështja e inflacionit.
“Në këtë relacion tani më na duhet me pa saktësisht politikat dhe trupat inspektuese të shtetit që të vizitojnë kryesisht njësitet biznesore apo ndërmarrjet furnizuese të këtyre produkteve dhe duke sqaruar dhe ngritur vetë dijen në bashkëbisedim me bizneset, në bashkëbisedim me shoqërinë, në bashkëbisedim edhe me prodhuesit vendor, në mënyrë që të harmonizohet çështja e inflacionit dhe çështja e prodhimit vendor dhe plasimit të produkteve bazike”, potencoi Shala.
Aanëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere u shpreh se situata me çmimin e lartë u konvenon shpërndarësve në treg prandaj janë edhe më të ngadalshëm në këtë situatë.
“Zakonisht në këto situata prodhuesit apo shpërndarësit tek rrjetet tregtare e të tjera, janë më të ngadalshëm dhe sikur u konvenon një situatë e tillë që ta ruajnë çmimin që e kanë të lartë jo në proporcion me realitetin ekonomik dhe faktorët ekonomik”, tha në fund Shala.
Berisha: Me 1 prill çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 14 për qind
Njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Berisha tha se rënia e inflacionit nuk është zyrtare dhe se çmimi i energjisë elektrike do vazhdojë të ketë rritje.
“Në lidhje më këtë nuk ka ende asgjë zyrtare se kemi rënie të inflacionit, kur çmimi i derivateve të naftës është i njëjtë apo me tentim rritje. Çmimi i energjisë elektrike është në rritje dhe do të ketë rritje në Kosovë me 14% nga 1 Prilli’, deklaroi Berisha për “Arbresh.info”.
Sipas tij, edhe nëse inflacioni do të ketë ulje, çmimet e produkteve bazë do të fillojnë të kenë zbritje pas gjashtë apo një viti.
“Nëse ka parametra të inflacionit që janë në ulje nuk do të thotë se në moment do të kemi edhe zbritje të çmimeve tjera. Këto çmime mund të fillojnë të ulen pas 6 deri 1 vjet edhe pse do të jetë problem. Se ne jemi vend importues të mallrave të ndryshëm në këtë rast edhe të inflacionit”, potencoi Berisha.
Hamidi: Në tregjet botërore ka tendencë për stabilizimin e çmimeve, në Kosovë po ndodh e kundërta
Ekonomisti Lavdim Hamidi për “Arbresh.info” ka deklaruar se artikujt në vend janë 30 për qind më shtrenjtë se në vitin e kaluar.
“Shkalla e inflacionit e matur në muajin janar 2023 sipas Agjencisë së Statistikave ka qenë 12.1%, përderisa artikujt themelore janë rreth 30% më shtrenjtë se viti i kaluar. Derisa në tregjet botërorë ka tendencë të stabilizimit të çmimeve, në Kosove po ndodhe e kundërta”, tha Hamidi.
Sipas Hamidit, shumë nga produktet po shiten me çmime të paarsyeshme dhe po keqpërdoret pozita e tregtareve.
“Shumë produkte vazhdojnë të shiten me çmime të paarsyeshme, pasi që disa tregtare të pandërgjegjshëm po e keqpërdorin pozitën e tyre në treg. Besoj se në këtë drejtim duhet të jetë me aktiv Inspektorati i Tregut, për të cilin kjo Qeveri ka premtuar se do ta rris numrin e inspektoreve dhe njëkohësisht Agjencia e Konkurrencës duhet te shikoj nëse ka marrëveshje të fshehta mes tregtareve”, shtoi Hamidi.
Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma mesatare vjetore e inflacionit në vend, për vitin 2022, ka qenë 11.6 për qind.
Në muajin dhjetor, ajo ka arritur në 12.1 për qind. Sipas një raporti të Bankës Botërore, çmimet e larta të ushqimit dhe të energjisë elektrike nga lufta në Ukrainë, mund të zgjasin me vite.
Po ashtu, në këtë raport parashikohet që çmimet e mallrave të qëndrojnë dukshëm më të larta se mesatarja e fundit pesëvjeçare.
Çmimet mund të jenë edhe më të larta dhe më të paparashikueshme se sa pritej në rast të një konflikti të zgjatur ose sanksioneve të reja kundër Rusisë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...