Zbutja e tensioneve, normalizimi i marrëdhënieve dhe gjetja e një zgjidhje të përhershme mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, po tentohet që të arrihet me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sot para përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, mund ta nënshkruajnë marrëveshjen që ndryshe njihet si plani franko – gjerman, raporton “Arbresh.info”.
Dakordimi për këtë plan dhe se nuk ka nevojë më të diskutohet as nga pala kosovare dhe ajo serbe është arritur me 27 shkurt në Bruksel, të cilin e ka pohuar vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell.
Por, dy partitë më të mëdha opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë hedhur dyshime se kjo është marrëveshja e shumë pritur nga Kosova, duke kërkuar nga kryeministrit Kurti, që mos ta nënshkruajë.
Përveç se në këtë marrëveshje nuk figuron njohja e ndërsjellë Kosovë – Serbi, sipas krerëve të PDK-së dhe LDK-së, kjo marrëveshje hapë telashe të reja të cilat sipas tyre mund ta bosnjëzojnë Kosovën.
Për këtë krerët e këtyre dy partive opozitare Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, janë thirrur në dy nenet e planit franko – gjerman, por më problematiku po shihet neni 7 i planit franko – gjerman.
Presidentja Osmani: Kosova është e gatshme të diskutojë, pa rrezikuar në asnjë moment kushtetutshmërinë e vendit
Për këtë Nen që po shihet si problematik për PDK-në dhe LDK-në, është deklaruar edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani -Sadriu.
Ajo e pyetur nga “Arbresh.info” ka thënë se neni 7, që është njëri nga 11 nenet e planit franko-gjerman ,do të zbërthehet në aneksin e zbatimit.
Por sipas Presidentes, asgjë nuk është përmbyllur varet se si zbërthehet nga pala kosovare neni 7.
“Neni 7 që është njëri nga 11 nenet e këtij plani, dhe ky nen është si pasojë e kompromisit që e ka bërë Kosova. Asgjë nuk është përmbyllur dhe ky nen do të zbërthehet në aneksin e zbatimit. Si dhe në qoftë se do të përbëjë rrezik apo jo, kjo varet nga ne. Varet nga ne se si zbërthehen obligimet që dalin nga ne neni 7. I gjithë angazhimi ynë i përbashkët si Republikës e Kosovës, është që neni 7 t’ju ofrojë komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë të drejtat që ua ofrojnë edhe instrumentet të Këshillit të Evropës dhe standardet më të larta të Bashkimit Evropian dhe Standardet Ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.
Sipas të parës së shtetit, Kosova është e gatshme të diskutojë përbrenda modeleve të drejtave të avancimit të drejtave të pakicave, pa rrezikuar në asnjë moment kushtetutshmërinë e vendit.
“Ato tashmë ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës, por ne jemi të gatshëm të diskutojmë përbrenda modeleve të drejtave të avancimit të drejtave të pakicave, pa rrezikuar në asnjë moment kushtetutshmërinë e vendit tonë, parimin e sistemit unitar, po ashtu funksionalizimin e sistemit të brendshëm të Kosovës, dhe siç e dini edhe integritetin territorial edhe sovranitetin” ka thënë Osmani- Sadriu për ‘Arbresh.info’.
Sipas Presidentes, nuk duhet të shihet ky nen kështu si është në marrëveshjen bazë, pasi sipas saj, bashkë me nenet e tjera do të diskutohen në Ohër, duke shtuar se në planin e zbatimit të zbërthehen dhe të dihen obligimet konkrete që dalin nga ky nen dhe nenet e tjera në marrëveshjes bazë të planit franko – gjerman.
“Por, mos e shihni nenin 7 siç është tani në marrëveshjen bazë, sepse ky nen së bashku me të gjitha nenet tjera janë në diskutim e sipër dhe do të diskutohen edhe në Ohër, në mënyrë që plani i zbatimit t’i zbërthejë pastaj obligimet konkrete që dalin nga ai nen i quajtur dhe nga nenet e tjera, natyrisht”, është shprehur presidentja Osmani Sadriu për “Arbresh.info”.
Miftaraj: Me këtë nen, Kosova duhet t’i sigurojë të drejtat që tashmë i gëzojnë komunat me shumicë serb
Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj për ‘Arbresh.info’ Miftaraj ka thënë se pjesa e parë e këtij neni, flet për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vet menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë në pajtim me instrumentet e Këshillit të Evropës përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare të Serbisë për serbët lokal në Kosovë.
Po ashtu, sipas tij ky nen përfshinë edhe ndërtimin e një kanali të drejtpërdrejtë të komunikimit të këtij komuniteti me qeverinë e Kosovës.
Karakteristikë e këtij neni, sipas Miftarajt, është gjuha e përdorur dykuptimshëm dhe është vështirë të kuptohet nëse vet menaxhimi ndërlidhet me kompetencat aktuale që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo ndërlidhet me asociacionin.
“Neni 7 i marrëveshjes së dakorduar në parim në Bruksel përcakton përkushtimin e dy palëve, në rastin konkret Kosovës dhe Serbisë për tu angazhuar së bashku lidhur me çështje te brendshme të Republikës së Kosovës në fusha që lidhen me vetëqeverisjen lokale të komunitetit serb në Kosovë dhe formalizimit të statusit të kishës ortodokse serbe në Kosovë”, është shprehur Miftaraj.
Ai, ka shtuar se ky nen duhet të nënkuptojë garancione që duhet t’i ofrojë Republika e Kosovë për të ruajtur dhe siguruar të drejtat, të cilat veç se i gëzojnë komunat me shumicë serbe si entitet dhe për të siguruar që këto të drejtat të zbatohen në praktikë së bashku edhe me 32 marrëveshjet e tjera të cilat janë obligim për tu zbatuar nga të dyja palët.
“Nëse neni 7 dhe neni 10 lexohen si të ndara që rregullojnë dy fusha të ndryshme, atëherë kjo pjesë e nenit 7 do të duhej të nënkuptonte garancionet që mund ti ofroj Republika e Kosovës për të ruajtur dhe siguruar të drejtat të cilat veç se i gëzojnë komunat me shumicë serbe si entitet dhe për të siguruar që këto të drejtat të zbatohen në praktikë përmes një komunikimi më të drejtë për drejtë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Do të thotë ky nen nuk duhet të lexohet ose nënkuptohet që lidhet me asociacionin e komunave me shumicë serbe, I cili obligim rrjedh nga neni 10 i marrëveshjes së bashku edhe me 32 marrëveshjet e tjera të cilat janë obligim për tu zbatuar nga Kosova dhe Serbia” ka thënë Miftaraj.
Drejtori i IKD-së ka folur edhe për paragrafin dy të nenit 7’të ku flitet lidhur me statusin e kishës ortodokse serbe dhe një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë dhe ofrimit të esktrateritorialitetit për kishën serbe dhe statusin ligjor të kishës në raste të caktuara njëjtë me institucione kushtetuese.
“Nëse merret si referencë rasti i fundit në Mal të Zi, ku Kryeministri Abazoviq dhe qeveria e tij ofruan statusin special të kishës ortodokse në Mal të Zi, ky status u përfshi në dy rrafshe në atë të ofrimit të eksterritorialitetit për kishën serbe dhe statusin ligjor të kishës në raste të caktuara njëjtë me institucione kushtetuese. Dallimi në mes Kosovës dhe Malit të Zi është I madh, pasi në Mal të Zi, popullata serbe është afërsisht 30%, kurse në Kosovë as 4%, dhe faktit tjetër se në Kosovë, sipas Kushtetutës dhe Ligjit, Kosova është e obliguar të trajtoj në mënyrë të barabartë të gjitha besimet fetare në Kosovë, dhe trajtimi special i kishës ortodokse, mund të ketë ndikim negativ tek komuniteti mysliman, katolik, protestant, etj”, ka shtuar Miftaraj.
Fetoshi: Jemi në situatën kur zgjidhja ideale është e pamundshme dhe zgjidhja pragmatike kërkon kujdes të shtuar
Në anën tjetër, profesori Arben Fetoshi, e sheh si një situatë, e cila nuk është ideale, por ai kërkon që të kihet kujdes te ky nen, sepse sipas tij, është problematik.
Megjithatë, ai e sheh se mos pranimi i kësaj marrëveshje mund të sjell pasoja të mëdha.
Fetoshi, ka kërkuar vëmendje nga kryeministri Kurti kur bëhet fjalë te “niveli i vetë menaxhimit” dhe “mbrojtjes së fortë” të trashëgimisë fetare e kulturore serbe gjatë hartimit të planit të zbatimit.
“Jemi në situatën kur zgjidhja ideale është e pamundshme dhe zgjidhja pragmatike kërkon kujdes të shtuar. Neni 7 i propozimit është problematik, por mospranimi mund të jetë me pasoja më të mëdha. Prandaj, Kosova duhet të tregohet e vëmendshme sa i përket “nivelit të vetë-menaxhimit” për serbët dhe “mbrojtjes së fortë” të trashëgimisë fetare e kulturore serbe. Modelet ekzistuese në Bashkimin Europian në shumë raste ofrojnë më pak të drejta se sa që kanë aktualisht serbët në Kosovë, nëse kemi parasysh gjuhën e tyre zyrtare në nivel vendi, decentralizimin që e ka rritur numrin e komunave ku ata janë shumicë, përfaqësimin në institucionet qendrore dhe sidomos të drejtën e vetos me shumicën e dyfishtë në kuvend,” ka thënë Fetoshi.
Të dy, si Miftaraj ashtu edhe Fetoshi, shohin avancim të Kosovës, por kërkojnë që të ketë kujdes e mos të pranohet një asociacion i cili kamuflon qëllimet e Serbisë për një republikë serbë dhe eksterritorialitet i kishës serbe.
Çfarë thotë neni 7?
Neni 7 : Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Ndryshe, javën e kaluar Lajçak erdhi në Kosovë, ku u takua me liderët opozitarë, kryeministrin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, e më pas shkoi në Serbi.
Mirëpo sipas tyre nëse nga ky plan Kosova përfiton njohje të reja nga pesëshja e shteteve të BE që ende nuk e njohin Kosovën, anëtarësim në Këshill të Evropës, Interpol apo mekanizma tjerë si në partneritetin për paqe, atëherë kjo padyshim se forcon shtetin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe ia bën më të lehtë Serbisë që pas pese apo dhjetë viteve të pranoj realitetin e ri në Kosovë.
Që deri te ky plan ka ardhur si pasojë e diskutimeve gati dy vjeçare që i ka zhvilluar kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq në Bruksel, në prani të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian Borell dhe të deleguarit për dialogun Kosovës – Serbi nga BE Lajçak.
Krejt çka mbetur për takimin e së shtunës është që të nënshkruhet statuti apo plani i zbatimit në mes të Kurtit dhe Vuçiçit.
Siç dihet Kosova dhe Serbia dialogojnë që nga viti 2010 për gjendjen e një zgjidhje si të dy shtete të pavarura, dhe deri më tani janë arritur 32 marrëveshje, por nuk kishte njohje të ndërsjellët dhe përfaqësuesit kosovarë kanë akuzuar shtetin serb se nuk po i zbaton marrëveshjet.
Sipas BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dyja shtetet kanë hyrë në fazën finale për një marrëveshje përfundimtare. /Arbresh.info/ Pleurat Salihu/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...