Escobar thotë se nevojitet progres i menjëhershëm: Asociacionin pres ta bëjë kjo Qeveri

20:45 | 17 Mars 2023
K.B

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka sqaruar një deklaratë të tij të ditëve të fundit, kur tha se asociacioni duhet të bëhet por pyetja është se cila qeveri duhet ta implementojë atë.

Nga opinioni kjo u kuptua si një thumb i Escobarit ndaj Qeverisë aktuale të Kosovës.

Megjithatë, ai ka deklaruar se ai vetëm po i përgjigjet pyetjes “Çka nëse kryeministri Kurti nuk e pranon atë (asociacionin)?”.

“Jo. Kjo ishte përgjigjja e një pyetjeje kur njerëzit më pyetën: Çka nëse kryeministri Kurti nuk e pranon atë? Por, në fakt, është obligim të cilin e ka marrë jo një njeri apo një parti, por një organ ndërkombëtar që është qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për RTV 21.

Escobar ka thënë se ka menduar të pyes se kush do të jetë në krye të qeverisë kur të bëhet asociacioni.

“Pra, shtrohet pyetja se kush do të jetë në krye kur të ndodhë? Sigurisht që pres që do të jetë kjo qeveri sepse na duhet progres menjëherë, por fakti është se për ne ju jeni anëtarë të komunitetit euroatlantik – nuk jeni pjesë të strukturave formale – por nënshkrimi juaj, nënshkrimi i liderëve tuaj të mëhershëm është i vlefshëm për ne, do të duhej të vlejë për ne dhe do të duhej të jetë i vlefshëm edhe për ju”, ka deklaruar ai.

“Pra, çështja është se si të arrijmë aty duke e ditur se ky është fakt që do të ketë një Asociacion”, ka shtuar Escobar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme