Kryeministri Rama takon sot Presidentin Bajram Begaj

10:31 | 17 Mars 2023
Vjollca Gajraku

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të takohet këtë të premte me Presidentin Bajram Begaj. Nuk dihet arsyeja e këtij takimi mes Ramës dhe Begaj, që do të zhvillohet në ambientet e Presidencës.

Takimi mes tyre vjen pak para zgjedhjeve të 14 Majit. Sakaq, kujtojmë se SPAK po thërret personat që kanë dijeni për çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë, kallëzim ky i bërë nga ish-zv.komandanti i Flotës Detare, Artur Meçollari.

Kujtojmë se SPAK ka thërritur ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, aktualisht deputetin socialist Bardhyl Kollçakun, ish-ministren e Mbrojtjes, njëherësh Ministre e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Meçollarin, lidhur me kallëzimin e këtij të fundit për abuzimet me privatizimet e pronave të ushtrisë. Në kallëzimin e Meçollarit përfshihet dhe ish- shefi i Shtabit, Presidenti aktual Bajram Begaj.

Nuk dihet nëse SPAK do të thërrasë Begajn si person në dijeni për të dhënë shpjegime. Dhe gjithashtu nuk dihet ende nëse kjo çështje do të jetë pjesë e diskutimit në takimin Rama-Begaj./rtsh

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme