Grupet shqipfolëse janë bërë faktorë kryesorë në tregun e kokainës në Evropë, duke u mbështetur në një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh të diasporës shqiptare, si dhe shpesh duke bashkëpunuar me grupet kriminale italiane, sipas raportit të fundit të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin (UNODC).
Raporti Global i Kokainës 2023 e ka vënë theksin ndër të tjera në rritjen e rolit që kanë grupet shqipfolëse në trafikun global të kokainës.
Raporti shton se sipas autoriteteve italiane, rritja e trafikut të kokainës në Evropën Juglindore, sinjalizon konsolidimin e mëtejshëm të organizatave kriminale ballkanike, të cilat janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi si me grupet kriminale në vendet prodhuese, ashtu edhe me trafikantët evropianë.
Grupet kriminale shqiptare dhe nga vendet e tjera ku flitet shqip, kanë zgjeruar ndikimin e tyre nëpër Evropë. Shkak për këtë mendohet të jetë ndihma nga rrjeti i madh i diasporës, shoqëruar me emigrimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 – 1999.
Sipas autoriteteve italiane, ky rrjet ka kontribuar në vendosjen e marrëdhënieve fitimprurëse me grupet kriminale në vendet e tjera, si dhe ka lejuar grupet shqiptare të depërtojnë në tregje të ndryshme të paligjshme nëpër Evropë.
Grupet e krimit të organizuar italian, veçanërisht ‘Ndragheta por edhe Camorra, dhe grupet shqipfolëse, menaxhojnë rrjete të gjera ndërkombëtare, për të orkestruar importin e kokainës në Itali, shpeshherë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Raporti e vë theksin dhe në rolin që kanë grupet shqipfolëse në shtetet e tjera të Evropës. “Grupet shqipfolëse kryejnë shitje me shumicë të kokainës në shumë pjesë të Evropës, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Holandë.
Duket se ata mund të menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë Evropën, me një shkallë të lartë koordinimi ndërkombëtar, përveç krijimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta me furnitorët në Amerikën Latine”.
Nga Holanda, kokaina shpërndahet më tej në vendet e tjera evropiane, dhe grupet shqipfolëse duket se luajnë një rol të rëndësishëm në këtë, veçanërisht në trafikun drejt Italisë dhe Shqipërisë.
Destinacioni i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, ku është vlerësuar se grupet shqiptare ushtrojnë një kontroll të konsiderueshëm në tregun e drogës, furnizohet gjithashtu në një masë të madhe përmes anijeve të mallrave, që arrijnë në portet në juglindje të MB, nga portet evropiane të afërta, si ato në Holandë dhe Gjermani.
Në Irlandë, ndërsa tregu i kokainës ende kontrollohet gjerësisht nga grupet irlandeze, krimi i organizuar shqiptar ka nisur të marrë rëndësi në vend, edhe pse ende nuk ka prova konkrete për aktivitetin e tyre.
Në Greqi, të dhënat e konfiskimeve sugjerojnë se, duke filluar nga 2019, ka pasur sasi në rritje kokaine. Brazili dhe Ekuadori janë përmendur në mënyrë të përsëritur nga Greqia si vende nisjeje. Disa dërgesa bëjnë një ndalesë në portet e tjera evropiane, përpara mbërritjes në Greqi, nga ku droga zakonisht udhëton nëpër vendet e Ballkanit për në pjesën tjetër të Evropës.
Për shembull, sipas raportimeve të mediave, në mars 2022, 100 kg kokainë u sekuestrua nga një ngarkesë me banane në portin e Selanikut, në një anije që mbërriti nga Malta. Në qershor 2022, katër shtetas britanikë u arrestuan në Selanik për trafikun e 300 kg kokainë, të gjetura gjithashtu në një ngarkesë me banane.
Mësohet se droga do të shpërndahej në vende të tjera evropiane dhe Australi. Para mbërritjes në Selanik, droga ishte transportuar në rajonin italian të Kalabrisë, që sugjeron përfshirjen e ‘Ndragheta-s.
Përveç kësaj, rrjetet bullgare duket se janë aktive në portet greke, duke infiltruar biznese të ligjshme dhe duke përdorur kompani të rreme, për të marrë dërgesa nga Amerika Latine, ndërsa besohet se shqiptarët sigurojnë transportin e kokainës drejt Bullgarisë dhe Serbisë.
Dërgesat e kokainës në Shqipëri përmes bananeve, qymyrit, karkalecave, kamionëve të tonazhit të rëndë
Raporti thekson se ndërsa grupet shqiptare janë shumë aktive në pritjen e dërgesave nga Europa Perëndimore, sidomos në portet e Belgjikës dhe Holandës, kokaina mbërrin në Shqipëri edhe nëpërmjet Portit të Durrësit.
Sekuestrimet e kokainës në Shqipëri janë rritur shumë që nga viti 2018, të nxitura nga sekuestrime të mëdha individuale në port, 613 kg në 2018 dhe 137 kg në 2019. Këto kapje mendohet të jenë arritur nëpërmjet bashkëpunimit të policisë shqiptare me atë italiane dhe kosovare.
Në maj 2021, një sekuestrim prej 400 kg kokainë nga Policia e Kosovës, në një ngarkesë mishi nga Brazili, reflekton lidhjen midis trafikantëve italianë dhe të Ballkanit, pasi dërgesa kishte ardhur nga porti Gioia Tauro, në Italinë jugore, përpara se të shkonte në Durrës dhe më pas në qytetin Lipjan në Kosovë.
Sipas raportimeve të autoriteteve shqiptare, ditët e sotme ka më pak gjasa që kokaina të kapet në kontenierë; droga ka më shumë mundësi të transportohet brenda arkave të bananeve.
Raporti ka zbuluar mënyra të tjera të transportit, janë ngarkesat e karkalecave nga Ekuadori dhe qymyri. Autoritetet shqiptare përmendën gjithashtu një mënyrë të re trafikimi: kokaina transportohet në automjete të tonazhit të rëndë, të dërguara nga Italia në Shqipëri me anije, me qëllim për të shkuar në vende të tjera të Bashkimit Evropian nëpërmjet Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Bandat e krimit të organizuar në Ballkan, duket se përdorin gjithashtu lidhjet e tyre për të siguruar shitje me shumicë jo vetëm në Evropë, por edhe në tregje të tjera fitimprurëse si Azia dhe Oqeania, ku ata mendohet se bashkëpunojnë me grupet vendase të krimit të organizuar, për shpërndarjen e drogës, thekson raporti.
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...