I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe fleksibile përpara takimit në Ohër.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë për shtyp në Beograd.
Ai tha se SHBA-ja do që të dyja palët të jenë serioze në kërkimin e këtyre mundësive dhe të gjejnë një mënyrë për të qenë fleksibile dhe konstruktive, për të shfrytëzuar këtë mundësi që të ofron jo vetëm Evropa, SHBA-ja, por edhe komuniteti transatlantik.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe se ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Escobar theksoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por ai përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.
“Kjo nuk ka të bëjë me këtë”, u shpreh ai.
Përfitimet e kësaj marrëveshjeje, tha Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit.
“Ajo që është ndryshe tani krahasuar me dy vjet më parë është se tani shihni një bisedë reale brenda shteteve në Kosovë dhe Serbi se çfarë do të thotë për Serbinë dhe Kosovën të kenë marrëdhënie paqësore, të parashikueshme dhe konstruktive. Të gjithë në rajon do të përfitonin nga kjo. Është diçka që është reale, nuk është bisedë e rrejshme, sepse po flasim për mundësi reale”, tha Escobar në Beograd.
Ai përsëriti se mundësitë ekonomike janë specifike për Ballkanin Perëndimor, mundësi të cilat do të rriteshin nëse të gjashtë vendet janë në rrugën evropiane.
“Ky do të jetë fokusi ynë”, tha Escobar.
Mundësia që të dyja palët t’i shohin përfitimet e kësaj marrëveshjeje, e cila sjell marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, është shumë e madhe, tha Escobar dhe shtoi se “kjo është ajo që më së shumti u nevojitet serbëve në Kosovë”.
“Ata janë gjithmonë në qendër të konfrontimeve, tensioneve dhe kjo u shkakton atyre dëme psikologjike dhe dëme të tjera”, theksoi ai.
Sipas Escobarit, pozita e serbëve në Kosovë do të përmirësohet përmes zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Escobar foli në Beograd dy ditë para rundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku palët do të bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian.
Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.
SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni, po ashtu, mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia.
Më herët, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se një marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian “është thelbësore për normalizim” të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende nuk e kanë nënshkruar propozimin, por janë pajtuar se nuk ka nevojë që për këtë dokument të ketë negociata të mëtejme./REL/
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...
Ukraina thotë se Rusia e ka sulmuar me afër 200 dronë
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...
Tentuan të grabisin një market në Ferizaj, arrestohen dy të ...