Gjendet i djegur automjeti me dy kallashnikovë brenda, dyshohet e autorëve në “Don Bosko”

09:24 | 13 Mars 2023
E.H

Një automjet tip “BMW” është gjetur i djegur në zonën e Bubqit në Shqipëri.

Brenda automjetit totalisht të shkrumbuar, janë gjetur dy armë zjarri të llojit kallashnikov.

Dyshohet se mjeti dhe armët janë përdorur në ngjarjen në një lokal në “Don Bosko”.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në orën 21:05, ku u vra banakierja Mimoza Paja dhe mbetën të plagosur edhe 6 persona, mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare. Të plagosur mbetën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuele Sala, Ermir Bejçuku dhe Genc Shohalli.

Për kapjen e autorëve, janë ngritur pika kontrolli edhe në Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër. Lokali ku ndodhi ngjarja, rezulton në pronësi të Fatjon Muratajt, i cili është një emër i njohur në botën e krimit.

Këtij të fundit, gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpiak”, por mbrëmjen e djeshme, ai nuk është gjendur në banesë nga forcat e policisë. Efektivët po kryejnë verifikimet nëse ka shkuar në spital. Pak muaj më parë është ndaluar nga policia, ku ishte me Indrit Doklen në makinë dhe më pas gjykata i ka caktuar masën e sigurisë.

Murataj ishte shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën e Fushë-Krujës me tre të vrarë dhe ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme