Qytetarët e Kosovës nuk do të lodhen më që të kërkojnë çmimin më të lirë të barnave, prej një barnatoreje në tjetrën.
Ata tash do të paguajnë çmimin më të lirë dhe do të kenë çmim të njëjtë në çdo barnatore të vendit.
Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës të mërkurën pasi ka miratuar projektligjin për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, që parasheh caktimin e çmimit të barnave në vend, raporton “Arbresh.info”.
Për Partinë Demokratike të Kosovës, ky vendim është i vonuar.
Deputeti nga radhët e PDK-së dhe anëtarë në Komisionin për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, tha për “Arbresh.info” se qytetarët kanë shpenzuar kosto të lartë për barna. Tani sipas tij, është proceduar në Kuvend, por me një vonesë shumë të madhe.
Sipas Haxhiut nuk janë të mjaftueshëm 42 inspektorë shëndetësorë.
“Nuk janë të mjaftueshëm 42 inspektorë shëndetësor. Duhet të ketë rritje, duhet të ketë strategji, planifikim, nëse vazhdohet kështu, sepse inspektorët shëndetësorë nuk janë mbështetur as me Ligjin e pagë. Do të ketë edhe largime dhe nuk do të ketë interes qe të ketë inspektorë në kuadër të sektorit të shëndetësisë, sepse në fushat e caktuara nevojiten specialistë të fushës së mjekësisë për të qenë inspektor. Për të inspektuar çështjet që lidhen drejtpërdrejt me sektorin e shëndetësisë, aty ku një çështje bie në domenin e specialistëve nuk mundet ta inspektojë dikush që me thirrje është më pak se specialist, prandaj për të pas interesim dhe specialistë të fushës së caktuar, atëherë do të duhet të kishte paga më të mira për ta”, tha Haxhiu.
Haxhiu, shpreson që ky Projektligj mos jetë për bizneset, por të jetë një Ligj që ndalon abuzimin me çmimin e barnave.
“Kemi pa këtë Ministri të Shëndetësisë që kanë kontraktuar kontrata për blerjen e barnave me çmime abuzive, shumëfish më të shtrenjta se çmimi i tregut, derisa vetë e kanë bë një gjë të tillë dhe vet janë ankuar. Nga viti 2020 e këtej ka pas abuzime me çmimin e barnave, barna të cilat janë blerë ka 300-400 për qind më shtrenjtë se sa çmimet e tregut” tha Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, theksoi se nuk ka pasur konsulta, e as dëgjime publike sa i përket miratimit të këtij Projektligji.
“Nuk ka pas konsulencë dhe dëgjime publike sa i përket miratimit të këtij projektligji dhe shpresojmë mos të vonohet në Qeveri dhe të vije sa më shpejtë në Kuvend, bashkë me ligje tjera substanciale për sektorin e shëndetësisë, sepse edhe kjo çështje fillimisht duhet të rregullohet Ligji për Shëndetësinë dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore që të vijmë pastaj edhe me rregullimin e çmimit të Ligjit të barnave, Ligji për Pajisje të produkteve medicinale, të cilat duhet të shikohen si sistem i tërë dhe të kemi një ligj të mirë”, tha Haxhiu.
Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta u shpreh se ky Projektligj do të rregullojë tregun farmaceutik.
“Tregu i barnave ka qenë i pa rregulluar dhe për veç se ka qenë një treg në mënyrë shumë profitabil, por e gjithë kjo anarki në tregun e barnave e ka rëndu xhepin e qytetarëve. Kështu që rregullativa, ligji i cili është proceduar është një domosdoshmëri e cila përfundimisht ka me ul çmimin e barnave por edhe ka me rregulluar në përgjithësi tregun farmaceutik. Ky ligj do të ndikoj pozitivisht duke përfshirë edhe mënyrën e rregullimit të tregut por edhe çmimin i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët”, tha Shkreta për “Arbresh.info”.
Shkreta, po ashtu theksoi se është proceduar për Qeveri numri i inspektorëve, të cilët do të kujdesen që të njëjtat rregullativa të zbatohen në praktikë.
“Në qeveri është procedu dhe është rrit edhe numri i inspektorëve të cilët do të kujdesen që të njëjtat rregullativa të zbatohen në praktikë. Ne e kemi thënë edhe më herët numri i inspektorëve ka qenë shumë i vogël. Tashmë është shtuar numri, mirëpo tendencat janë akoma për me u rritë në mënyrë që edhe ligjet ,edhe rregullativat, udhëzimet administrative në fuqi, të zbatohen në praktik”, tha deputeti i Vetëvendosjes.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale. Pas vendimit, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë për media pati thënë se me këtë ligj, një bar do të ketë çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret në vend. Po ashtu, Vitia ka thënë se për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji MSH-ja do të punësojë edhe 42 inspektorë shëndetësorë, të cilët janë paraparë edhe në buxhetin për vitin 2023. /Arbresh.info/
Rashica shënon gol në miqësoren e Shqipërisë U21 ndaj Moldav...
Kurti u takua me Drejtorin e Departamentit Evropian të Fondi...
Tiranë, kongresi studentor: Papunësia dhe emigracioni janë p...
Granit Xhaka me Zvicrën kërkojnë revanshin sonte ndaj Serbis...
Zyrtari i Hamasit: Të gatshëm për një armëpushim në Gaza
Hovenier falënderon stafin e ambasadës për avancimin e partn...