Plani evropian dhe vërshimi i kritikave të ndërkombëtarëve ndaj opozitës së heshtur

09:11 | 12 Mars 2023
A Z

Miqve perëndimorë të Kosovës po iu pengojnë qëndrimet e opozitës kundër kryeministrit Kurti në lidhje me pranimin e propozimit evropian, të njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Pasi që Kurti e pranoi edhe zyrtarisht këtë propozim në takimin e 27 shkurtit në Bruksel me presidentin serb dhe ndërmjetësit evropianë, partitë opozitare në vend, gjegjësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), filluan me kritika të ‘ashpra’ ndaj Kurtit, me pyetjen, “pse e pranove propozimin evropian, kur më herët ke qenë kundër marrëveshjeve të cilat i përmban po i njëjti propozim”, shkruan arbresh.info.

E këto deklarata të opozitarëve, nuk u kanë pëlqyer aspak Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gjermanisë dhe Francës, ambasadat e të cilëve kanë kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja që ta mbështesin Kurtin në pranimin e këtij propozimi.

Fillimisht, ambasada e ShBA-ve i ka cilësuar si shqetësuese deklarimet e opozitës kundër planit evropian, për të cilat tha se nuk janë në një vijë me qëndrimet amerikane për këtë çështje.

“Jemi të shqetësuar me deklarimet e bëra nga liderët dhe zyrtarët e partive opozitare që kanë shprehur kundërshtimin ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me përkrahjen e SHBA-së për propozimin”, thuhet në përgjigjen e ShBA-së për media të hënën.

Një ditë më vonë, të martën, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ia kujtoi PDK-së e LDK-së që kanë qenë po ato parti, të cilat e kanë nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, obligim i cili gjendet brenda propozimit evropian dhe është po i njëjti obligim për të cilin kryeministri Kurti po kritikohet më së shumti kur është fjala te pranimi i këtij plani.

“Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”, ka deklaruar Rohde.

Rohde i kërkoi partive opozitare që këtë propozim mos ta shfrytëzojnë për “lojëra të brendshme politike” dhe të kenë qëndrim konstruktiv, sepse tek e fundit, secili e mban përgjegjësinë për të ardhmen e Kosovës.

“Dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar ai.

Qëndrimet opozitare nuk ka lënë pa i kritikuar edhe një tjetër ‘peshk i madh’ siç është Franca.

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka kërkuar nga opozita që Asociacionin, si pikë brenda propozimit evropian, ta shohë me “një sy ndryshe” dhe të vlerësojë përpjekjet e ndërkombëtarëve për një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

“Kosova është një vend demokratik dhe është normale që pozita dhe opozita të jenë në kundërshtim për çështje të ndryshme. Ne siç kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë njëjtë edhe nga opozita që ta shohin çështjen e Asociacionit me një sy ndryshe, ta shohin ‘the big picture’ dhe t’i vlerësojnë përpjekjet që komuniteti internacional po bën për Kosovën dhe Serbinë”, tha Guerot para gazetarëve.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, për arbresh.info i ka cilësuar si pozitive kritikat e opozitës lidhur me propozimin evropian, por theksoi se ato kritika duhet të jenë prezente deri kur të arrihet marrëveshja, e jo pas saj, në të kundërtën, mund të minohet shteti.

“Opozita është mirë që po këmbëngul dhe po i ka këto pozicione më radikale, këto i ndihmojnë Kosovës por është mirë që kur ta marrim vendimin ta marrim të gjithë së bashku dhe me pasë një konsensus dhe me pasë një homogjenitet të qëndrimeve se nëse pastaj përplasja thellohet pas vendimit, atëherë e dëmtojmë shtetin e Kosovës. Është mirë me kundërshtua deri në atë moment për me arrit një konsensus që të arrijmë në një pozicion më të mirë. Por jo pastaj me vazhdu me minu shtetin edhe masi ta arrijmë njëfarë lloj dakordimi për rrugën të cilën dojna me e zgjedh si popull ka me ia mbajte, kjo është me rëndësi”, deklaroi kryeparlamentari Konjufca për arbresh.info.

Nga PDK-ja, kanë refuzuar të përgjigjen për arbresh.info lidhur me këto deklarata.

Por kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, pas takimit të sotëm me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se qëndrimet e tyre nuk janë në kundërshtim me ndërkombëtarët, por janë kundër Asociacionit i cili nuk përputhet me Kushtetutën.

“Sot kemi Asociacionin, të cilin ne nuk e kundërshtojmë, nuk e kemi kundërshtuar as më herët sepse ai kur të themelohet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, por kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Asociacionit, e për më keq edhe përtej Kushtetutës. Këto qëndrime tona nuk janë në kundërshtim me partnerët tanë ndërkombëtare, sepse ne gjithmonë kemi qenë në komunikim me ta”, u shpreh Krasniqi.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë pranuar assesi të deklarohen lidhur me këto deklarata, pavarësisht përpjekjeve të arbresh.info për të diskutuar me ta rreth kësaj çështje.

Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit të së premtes me liderët opozitarë, ka deklaruar se është optimist se edhe PDK-ja dhe LDK-ja do ta pranojnë këtë propozim.

Analisti politik, Fidan Ukaj, ka thënë se këto deklarata të ambasadorëve perëndimorë, tregojnë se qëndrimet opozitare kundër kryeministrit Kurti në lidhje me këtë propozim janë të pa sinqerta dhe joparimore, si dhe po përdoren për qëllime elektorale.

“Kundërshtimi i LDK-së dhe PDK-së rreth propozimit evropian është i pa sinqertë, sepse ishin pikërisht këto dy parti politike që në të kaluarën i kanë arritur pothuajse të gjitha marrëveshjet me Serbinë, dhe tani kundërshtimi i një plani të propozuar nga BE, nga këto dy subjekte politike, duket se është më shumë për përfitime elektorale sesa parime të deklaruara dhe të dëshmuara rreth dialogut me Serbinë, dhe deklarimi i ambasadorëve se ishin pikërisht këto subjekte politike qe kanë arritur marrëveshje me Serbinë nga e kaluara e përforcon qëndrimin se nuk është qëndrim parimor i këtyre subjekteve politike por një mundësi elektorale për të përfituar ndonjë votë nga të pakënaqurit me pushtetin aktual”, tha Ukaj për arbresh.info.

Në një prononcim për arbresh.info, Ukaj ka thënë se ndërkombëtarët nuk kanë lidhje emocionale as me Kurtin e as me ndonjë kryeministër tjetër, por, ky pozicionim i Kurtit pro planit evropian po admirohet dhe mund të ‘shpërblehet’ me anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë dhe nuk është se ka pasur një lidhje emocionale me asnjë nga liderët politik e institucional te vendit. Sigurisht se me pranimin e planit evropiano-amerikan nga ana e kryeministrit Kurti, pozicioni i Kosovës dhe kryeministrit Kurti mund të shihet me admirim nga bashkësia ndërkombëtare dhe me mundësi të anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, deklaroi Ukaj.

Gjithsesi, sipas tij, ky plan përsëri do të votohet nga PDK-ja dhe LDK-ja, përkundër kundërshtimeve të tyre.

I pyetur se a mund të quhen si presion ndaj opozitës deklaratat e ambasadorëve perëndimorë, Ukaj theksoi se këto kanë qenë më shumë si “rikujtim i së kaluarës së tyre”.

“Më shumë ishte një rikujtim i së kaluarës së tyre, nga ana e ambasadorëve për këto dy subjekte politike (PDK dhe LDK) sepse ishin pikërisht këto dy parti qe negociuan marrëveshjet nga e kaluara dhe pikërisht plani për normalizim përfshin edhe të gjitha marrëveshjet qe këto dy subjekte politike i kanë negociuar kur ishin në pushtet. Dhe mendoj se kurdo që plani evropiano-amerikan do të vijë në Kuvend, atë do ta votojë edhe LDK e PDK, pa hezitim”, përfundoi Ukaj për arbresh.info.

Kurse partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka qenë e lirë nga kritikat perëndimore kësaj radhe.

Kjo për faktin se ata publikisht e kanë konsideruar këtë plan evropian si të duhur në kuadër të zgjidhjes së raporteve Kosovë – Serbi.

Takimi i radhës Kurti – Vuçiq, ku do të bëhet edhe një hap tjetër drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje, mbase edhe nënshkrimit të saj, do të mbahet më 18 mars, në qytetin e bukur të Ohrit, në Maqedoninë e Veriut.

Përndryshe, nga plani evropian ka mbetur pa u publikuar vetëm aneksi i marrëveshjes, i cili pritet të diskutohet më gjerësisht në takimin e 18 marsit./EmirAbduramani/Arbresh.info

 

Të ngjashme