Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian të enjten e ka miratuar në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Vendimi pro liberalizimit të vizave për Kosovën u mor unanimisht nga të gjitha vendet e Këshillit, pa asnjë votë kundër
Këtë vendim e kanë mirëpritur deputetët e pozitës dhe opozitës, raporton “Arbresh.info” .
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, thotë se ky lajm është i shumëpritur për Kosovën dhe vendim që është dashur të merret shumë kohë më parë.
“Ky është një lajm shumë i mirë, por shumë i vonë. Mendoj që Kosova kaherë e ka meritu liberalizimin e vizave dhe ka qenë dashtë që kaherë të jetë sot e harruar. Së pari dua të them se Kosova i ka plotësu shumicën e kritereve të domosdoshme për liberalizim, madje ka plotësua më shumë se shtetet tjera të rajonit që e kanë sot liberalizimin. Unë mendoj se kjo ka ndodhë për shkak të negociatave politike, mendoj që problem është pesëshja që nuk na ka njoh, dhe si do të lëvizim në vendet që nuk na njohin pasaportën neve edhe nëse ne e kemi liberalizimin në zonën Schengen”, thotë ai.
Edhe pozita është shprehur e lumtur për këtë lajm.
Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha thotë se me këtë vendim, ky komitet e ka dëshmuar që e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Kjo edhe ka qenë hapi më i vështirë për shkak që të gjitha shtetet është dashur të pajtohen dhe procedura tjetër është në Parlamentin Evropian, respektivisht në komitetin për çështje të brendshme dhe drejtësi, aty nuk presim telashe sepse votimet janë me shumicë të thjeshtë dhe ky komitet e ka dëshmuar që e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thotë ai.
Ai është i bindur që kosovarët nga janari i vitit 2024 do lëvizin pa viza.
“Sipas deklaratës zyrtare të BE-së, nga 1 janari 2024 pritet të lëvizim pa viza, sepse sistemi ETIAS është shty hyrja në fuqi e tij. Andaj, afati përfundimtar ka qenë 1 janari 2024 dhe këtë po e presin të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bëjnë vizita 90-ditore në shtetet e Bashkimit Evropian”, thotë Batusha.
Edhe deputetja tjetër e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, thotë se kjo ka qenë e pritshme. Ajo pret që kah mesi i muajit prill të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën edhe në Parlamenti Evropian.
“Sot është votuar rezoluta që e konfirmon kalimin në një fazë tjetër të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, tash na ka mbetur vetëm edhe konfirmimi i Parlamentit Evropian, i cili me sa di unë ndodh diku kah mesi i prillit dhe kjo çështja e liberalizimit me u përmbyll përfundimisht. Ka qenë e pritshme sepse kemi punu dhe jemi angazhu që të marrim votën unanime pro vendimit për liberalizimin. Kjo ka qenë një e arritur tjetër të cilës i gëzohemi jo vetëm ne si pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë, por secili qytetar i Republikës së Kosovës, dhe shpresoj shumë që do ta kalojmë edhe hapin e radhës, sepse ky sot ka qenë hapi më i vështiri dhe më vendimtari dhe në Parlamentin Evropian besoj se më nuk do të kemi pengesa”, shprehet ajo.
Kryeziu-Hyseni, thotë se ka mbetur vetëm me i uru qytetarët që nga 1 janari 2024 do të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.
Ndryshe, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian e ka miratuar të enjten në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Çështja e liberalizimit të vizave ka mbetur të miratohet edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Lëvizja e lirë e kosovarë pritet të ndodhë nga 1 janari 2024./Arbresh.info//Pleurat Salihu/
Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fito...
Hamza në Zvicër: Kosova synon te sjellë ekspertë ndërkombëta...
Haradinaj: Diasporën do ta mbështesim fuqishëm për t’i...
Lucescu vazhdon të merret me Kosovën: Luajtën shumë mirë, po...
Heshtja kritike në BE për Kosovën dhe Serbinë
“Ke dështuar t’u japësh shembull grave në Kosovë” – Vullneti...