Google ADS

Krasniqi informon Kryesinë për zhvillimet e fundit, ftohet mbledhja e Këshillit Drejtues për javën e ardhshme

17:40 | 10 Mars 2023
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ftuar sot mbledhjen e Kryesisë së partisë, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Krasniqi ka njoftuar Kryesinë për takimet dhe komunikimet e ditëve të fundit që ka pasur me akterë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë, pas dakordimit të kryeministrit Albin Kurti për propozimin evropian.

Gjatë këtij takimi, Krasniqi i informoi anëtarët e Kryesisë edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, të cilin e priti sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës.

Qëndrimi i PDK-së mbetet i konsistent dhe i pandryshueshëm në raport me këtë marrëveshje, e cila është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kanë pritur të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kjo marrëveshje, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë. Kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë.

Në fund të këtij takimi, u dakordua që javën e ardhshme të ftohet edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme