Google ADS

Dënimi me gjashtë muaj burg i ish-sekretarit të KPK-së, Gjykata jep detaje

15:49 | 9 Mars 2023
Emir Abduramani

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka dënuar me gjashtë muaj burg dhe tetë mijë euro gjobë ish-sekretarin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqin.

Sipas komunikatës së kësaj gjykate, ai është shpallur fajtor për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë”. Nderkaq i njëjti është liruar nga vepra penale ”Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në mungesë të provave lidhur me këtë vepër.

Sipas gjykatës, ky dënim i tij mund të zëvendësohet me dënim me para, në vlerë prej tre mijë eurove.

“I akuzuari L.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në vlerë prej 8.000 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj për veprën penale Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës së Kosovës. Konform nenit 44 të KPP-së, të akuzuarit  L.K dënimi me burgim mund  ti zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet dhe koha e kaluar ne paraburgim  nga data 01.03.2021 deri me datë 30.03.2021 dhe arrest shtëpiak nga data 29.05.2021 deri me datë 29.07.2021”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër, A.K, është dënuar me katër vjet e tetë muaj burg dhe gjobë gjashtë mijë euro për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“I akuzuari A.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vite e tetë (8) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 6.000 euro, për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve, sipas nenit 390, par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së dhe Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 par.1 lidhur me të KPRK-së, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në dënimin e shqiptuar me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim 03.03.2021 deri me dt.30.03.2021 dhe prej dt.05.05.2021 deri me dt.29.07.2021, si dhe në arrest shtëpiak prej dt.30.03.2021 deri me dt.05.05.2021. I akuzuari A.K  lirohet nga akuza se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kishin për të kryer veprën penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 paragrafi .1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Kurse i akuzuari M.B nuk është dënuar me burg, por vetëm me pesë mijë euro gjobë, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

“E akuzuara M.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 5.000 euro, për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve sipas neni 390, par.1 të KPRK-së, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak  prej dt.01.03.2021 deri me dt.31.03.2021. E akuzuara M.B lirohet nga akuza për veprën penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale sipas nenit 333, par.1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

E akuzuara tjetër, F.D, është liruar plotësisht nga akuza, në mungesë të provave./arbresh.info

Të ngjashme