Google ADS

Shefi i Pentagonit viziton Izraelin mes tensioneve në Bregun Perëndimor

14:29 | 9 Mars 2023
A. B.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka mbërrijtur në Izrael të enjten, për të përcjellë shqetësimin e SHBA-së se përshkallëzimi i tensioneve në Bregun Perëndimor mund të shpërqendrojë aleatët nga përpjekjet e tyre për t’iu kundërvënë Iranit.

Austin, i cili është në një turne rajonal, zbarkoi në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, ku u prit nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallan.

Në të njëjtën ditë, forcat izraelite vranë tre militantë palestinezë në një shkëmbim zjarri, gjatë një serie bastisjesh të kryera në Bregun Perëndimor.

Forcat izraelite të sigurisë thanë se bastisën fshatin Jaba në Bregun Perëndimor për të arrestuar të dyshuarit e kërkuar për sulme ndaj ushtarëve izraelitë në këtë zonë.

Sipas Policisë së Izraelit, të dyshuarit hapën zjarr ndaj trupave izraelite, të cilët kundër-qëlluan dhe vranë tre persona, të gjithë të lidhur me grupin militant palestinez, Hamas.

Ministria palestineze e Shëndetësisë i identifikoi viktimat, burra 26, 25 dhe 22 vjeçarë, dhe tha se ata u qëlluan nga forcat izraelite gjatë një operacioni ushtarak. Ministria gjithashtu bëri të ditur se një burrë i katërt u shtrua në spital me një plagë plumbi në kokë, porse është në gjendje të qëndrueshme.

Policia izraelite publikoi fotografi të pushkëve të sulmit, pistoletave, municioneve dhe sendeve të tjera që ata thanë se forcat e tyre i konfiskuan në Jaba.

Ministri izraelit i Sigurisë Itamar Ben-Givr, përshëndeti veprimin dhe “eliminimin e atyre që hapën zjarr ndaj ushtarëve”.

Radio Hamas raportoi se forcat izraelite kishin bastisur lokacione të ndryshme duke kërkuar për një grup të njohur si “Brigada Jaba” dhe kishin vrarë liderin e saj.

Sipas radios palestineze, forcat izraelite sulmuan fshatin Jaba, në jug të Jeninit, rrethuan një shtëpi ku pati një shkëmbim zjarri dhe një person u arrestua përpara se ushtarët të tërhiqeshin.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve në Bregun Perëndimor. /REL/

lexo edhe:

Sulm në Bregun Perëndimor, forcat izraelite vrasin tre palestinezë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme