Organizata Freedom House tha të enjten se liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. Agresioni i Moskës çoi në shkelje shkatërruese të të drejtave të njeriut në Ukrainë. Grushtet e shtetit dhe përpjekje të tjera për të, dëmtuan qeveritë përfaqësuese dhe destabilizuan Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin.
Grushtet e mëhershme të shtetit dhe represioni i vazhdueshëm, pakësuan liritë themelore në Guine dhe vazhduan t’i kufizojnë ato në Turqi, Myanmar dhe Tajlandë.
Dy vende, thuhet në raport, pësuan rënie në statusin e tyre të përgjithshëm të lirisë: Peruja kaloi nga vend i lirë në pjesërisht të lirë dhe Burkina Faso kaloi nga vend pjesërisht i lirë në vend jo të lirë.
Hendeku midis numrit të vendeve që shënuan përmirësime të përgjithshme të të drejtave politike dhe lirive civile dhe atyre që regjistruan rënie të përgjithshme gjatë vitit 2022 ishte më i ngushti në 17 vitet e përkeqësimit global të shkallës së lirisë, thuhet në raportin e 50 më radhë të Freedom House mbi liritë në botë.
Rënia dramatike e të drejtave politike dhe lirive qytetare gjatë vitit 2022 u shkaktua nga sulmet e drejtpërdrejta ndaj institucioneve demokratike, qoftë nga forcat ushtarake të huaja apo zyrtarët vendas.
Në shkurt, ukrainasit u futën me dhunë në zemër të luftës globale për të mbrojtur demokracinë kundër autoritarizmit. Presidenti rus Vladimir Putin, pasi kishte drejtuar pushtimin e paligjshëm të territorit ukrainas në Krime dhe Donbasin lindor që nga viti 2014, filloi një agresion në shkallë të gjerë.
Çfarëdo justifikimesh të rreme për këtë agresion që janë shpallur nga mediat e kontrolluara nga Kremlini, thuhet në raport, qëllimi i tij i qartë është të heqë udhëheqjen e zgjedhur në Kiev dhe t’i heq ukrainasve të drejtën e tyre themelore për vetëqeverisje të lirë.
Lufta është, siç thotë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, një fatkeqësi me një çmim të lartë. Në dëshirën e tij për të shkatërruar demokracinë në Ukrainë dhe për t’iu mohuar ukrainasve të drejtat e tyre politike dhe liritë qytetare, presidenti rus Putin ka shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e mijëra civilëve ukrainas si dhe ushtarëve nga të dyja palët, shkatërrimin e infrastrukturës thelbësore, zhvendosjen e miliona njerëzve nga shtëpitë e tyre, një përhapje të torturës dhe dhunës seksuale dhe intensifikimi i represionit tashmë të ashpër brenda Rusisë, thuhet në raport.
Në raport thuhet se 84 vende të botës përfshihen na kategorinë e vendeve të lira, ndërsa 57 në vende jo të lira.
Organizata radhiti vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjën, në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Në këtë kategori përfshihen 54 nga 195 vendet për të cilat flet raporti.
Amy Slipowitz, nga organizata Freedom House, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se Shqipëria nuk shënoi ndonjë ndryshim nga e kaluara. “Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha ajo.
Sipas raportit Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e Freedom House që shkon deri në 100 pikë. Zonja Slipowitz tha se kjo është një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.
“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha ajo.
Raporti mbi Liritë në Botë, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë trendet globale për një gjysmë shekulli./VOA
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen