Lidhja Demokratike e Gruas zhvilloi sot protestë për të drejtat e grave në ditën e 8 Marsit në Tiranë.
Gratë e forumit të Partisë Demokratike manifestuan me pankarta përpara Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe u ndalën edhe përpara Kryeministrisë, raporton ATSH.
Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e lëvizjes, Albana Vokshi në fjalën e saj tha se “prania jonë sot këtu do të thotë që ne refuzojmë ta pranojmë këtë realitet. Ne refuzojmë që një kryeministër i korruptuar të shkelë me këmbë të drejtat tona. Ne refuzojmë të bëhemi fasada e një demokracie që nuk ekziston”.
“Ne jemi sot këtu për të thënë disa të vërteta. Një e vërtetë e tmerrshme është se gratë dhe vajzat vriten, abuzohen, dhunohen, por shteti i Edi Ramës nuk bën asgjë për të parandaluar këtë të keqe. 135 gra të vrara në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, shumica me urdhër mbrojtje, edhe gjykatëse mes tyre. Rreth 1900 raste dhune të evidentuara nga policia (se ka edhe shumë e shumë më tepër se kaq, por nuk deklarojnë nga turpi ose nga frika). Mbi 1400 urdhra mbrojtjeje më shumë, por që nuk i mbrojnë gratë nga dhuna”, theksoi Vokshi.
Barbara Doda, anëtare e lëvizjes, tha se “vajzat shqiptare janë të jashtëzakonshme. Çdo ditë krenohemi për arritjet e tyre, por sot nuk është ditë vetëm për të festuar”.
Ndërsa Fjoralba Dizdari u shpreh se “këto institucione që ne kemi zgjedhur sot kanë një të përbashkët që lidhen me gruan, që lidhen me rënien e këtyre institucioneve, të cilat nuk janë tashmë funksionale dhe nuk bëjnë më rolin e tyre, nuk përkrahin gratë dhe kanë pamjaftueshmëri sociale”.
Jola Hysaj u shpreh se “gruaja shqiptare sot mund të festojë, por ajo nuk i harron dot plagët që marrin simotrat e saj në mbarë vendin, dhunën verbale, psikologjike, institucionale që shihet tek gëlon dhe merr formën e plumbave që tri gra të thjeshta të këtij vendi morën para pak ditësh”.
Ndërsa Adriana Kalaja u shpreh se “sot jemi pozicionuar para Ministrisë së Brendshme për të shprehur revoltën tonë në këtë të shënuar si dita e gruas dhe këtu jemi për t’i thënë STOP dhunës ndaj grave. Për të thënë boll bërjes palë me dhunuesin nga Policia e Shtetit, nga i gjithë shteti në fuqi. Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të këtyre ditëve të fundit, por jo vetëm se si dhunues dhe vrasës të grave, të nënave, të vajzave shqiptare janë liruar në mënyrë antiligjore nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata. Jemi këtu për t’i bërë thirrje STOP ngritjes dorë ndaj vajzës, gruas, ndaj nënës dhe motrës, sepse nëse ne vrasim gruan ne vrasim jetën”.
Shkup: Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur
Vullneti u rrëfehet banorëve për përjetimet e tij gjatë luft...
Kurti: Qeveria vitin e ardhshëm do të mbështesë organizimin ...
Rumania mban zgjedhjet presidenciale
Trumpi hesht, Ukraina debaton
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...