Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin, Gjermani, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin Rama e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.
Ditën e martë, Kryeministri do të zhvillojë një takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ku ndër të tjera pritet të diskutohet për koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria. Sipas njoftimit të Qeverisë së Shqipërisë takimi mes Ramës dhe Scholzit do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, ku ndër të tjera thuhet se do të diskutohet për bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pas takimit mes tyre, do të ketë një konferencë të përbashkët për media.
Kryeministri Rama do të takohet edhe me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku thuhet se do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare. /TCH
Moti nesër: Diell dhe vranësira, temperaturat lëvizin nga -5...
Çaji që duhet të konsumoni për uljen e tensionit të lartë
Aksident me vdekje në aksin Gjirokastër-Tepelenë
SHBA ekspozojnë planin iranian për vrasjen e Donald Trump-it
Presidenti palestinez bisedë telefonike me Trump
Simptomat e demencës përkeqësohen ndjeshëm në këtë pjesë të ...