Google ADS

Pritje deri në një vit për koronarografi në QKUK, institucionet heshtin

23:14 | 4 Mars 2023
E.H

Pacientët që kanë problem me sëmundje të zemrës, po vazhdojnë të presin për më shumë se një vit për të kryer një koronarografi në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Ata ankohen se nuk kanë kushte për të kryer këtë shërbim në klinika private. Të heshtur nëse kjo pritje do të përfundojë po vazhdojnë të jenë nga institucionet shëndetësore.

Ka kaluar një vit që po pret, por radha ende nuk i ka ardhur për të kryer një shërbim me rëndësi në institucionet shëndetësore.

Ndonëse me një gjendje jostabile, Xhafer Feta nga Fushë Kosova po pret për të kryer një koronarografi në Qendrën Klinike Universitare.

Ai tregon për televizionin se nuk ka kushte financiare që këtë shërbim ta kryejë pa pritje në një klinikë private.

“E kemi bërë kërkesën, na e kanë marrë emrin me numër të telefonit me të gjitha. Kam qenë vet, tha jemi të tetorit të vitit 2021 duke i thirrur për me bërë një koronarografi. Nëse na pret ymri e presim deri të na vije radha, nëse jo s’kem çka bëjmë se s’kem mundësi tjera për me shkua në privat. Edhe familjarët po i trishtojmë me këtë pasi mjeku na ka thënë urgjent dhe po duhet me këqyrë alternativa të tjera por s’kemi mundësi”, ka deklaruar Xhafer Feta-Pacient, raporton rtv dukagjini.

Me problemin e njëjtë po ballafaqohen edhe pacientët të cilët edhe kanë pësuar më parë infarkte. Pritja tashmë është bërë normale për ta.

“Qe dy muaj më kanë thënë me bërë këtë, por po duhet më prit në rend, po ka shumë pritje në proces. Po na dëmton kjo pritje, por po mundohemi me tejkalua me barna. Privat jo si kemi kushtet me shkua në privat, po presim”, ka thënë Hanife Rafuna-paciente.

Ankesa për këtë kanë pranuar edhe në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve.

“Aty lista shkon më shumë se një vit. Duke e ditur se kjo është diçka shumë e ndjeshme pasi pacientët rrezikojnë edhe me jetë duke pritur dhe ne kemi kërkuar që në këtë klinikë mos të ketë fare pritje. Nuk mund të pres një pacient që ka infarkt, të pres më shumë se një vit për një koronarografi”, ka thënë Besim Kodra nga kjo shoqatë.

Por, të heshtur për arsyet e kësaj pritje të stërzgjatur janë institucionet përgjegjëse.

Më lista të gjata të pritjes për të kryer ekzaminimin, i cili siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak, pacientët janë ballafaquar edhe viteve të kaluara.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme