Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, për të ditën e dytë me radhë mbajti bisedime në Iran me qëllim që të nxisë këtë shtet të bashkëpunojë lidhur me gjetjen e disa copëzave të uraniumit në një uzinë bërthamore.
Grossi, që arriti në Teheran të premten, u takua për të dytën herë me kreun e Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Mohammad Eslami, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve iraniane, IRNA.
Vizita u realizua lidhur me zbulimin e origjinës së copëzave të uraniumit që u gjetën e të cilat kishin 83.7 për qind pastërti. Ky nivel i pastërtisë është shumë afër përqindjes që kërkohet për të krijuar armë bërthamore. Ky uranium u gjet në centralin për pasurim të uraniumit Fordov, thuhet në një raport të agjencisë për energji bërthamore të Kombeve të Bashkuara, të cilin e ka parë Reuters.
“Çështja e monitorimit dhe performancës, statusi dhe aftësitë e industrisë bërthamore të Republikës Islamike janë qëllimi më i rëndësishëm në agjendën e agjencisë”, citohet të ketë thënë Eslami para takimit me Grossin të shtunën.
“Palët nuk kanë përmbushur zotimet e tyre” sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, prandaj Irani ka vendosur “të reduktojë zotimet e tij”, shtoi ai.
Sipas marrëveshjes të vitit 2015 të Iranit me gjashtë fuqi botërore, Teherani ka reduktuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Por, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione më 2018, duke nxitur Iranin që të niste shkeljen e kufizimeve të vendosura në marrëveshje.
Eslami tha më herët gjatë javës se prodhimi i Republikës Islamike ishte në 60 për qind.
“Agjenda e këtyre takimeve vazhdon të përfshijë çështje të mbetura të mbrojtjes, por edhe mosmarrëveshje teknike dhe ligjore midis Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”, tha ai të premten, pa dhënë më shumë detaje.
Agjencia e OKB-së për energji bërthamore ka kryer hetim lidhur me uraniumin e pasuruar në nivel të lartë dhe ka kërkuar nga Irani që të bashkëpunojë. Por, ky bashkëpunim nuk ka ndodhur dhe Grossi ka shpresuar se takimi me presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, do të mund të ndihmojë në këtë drejtim./REL
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...
Maqedonci dhe Jashari, po marrin pjesë në Forumin Ndërkombët...
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin në Florida
Grenell pritet të emërohet i dërguar special për konfliktin ...
McKee: Nuk pres që ShBA-ja të ndryshojë qasje ndaj Kosovës
Hamza: Buxheti i shtetit duhet të rritet si rezultat i rritj...