Kurti takohet me delegacionin e bizneseve amerikane, i fton të investojnë në Kosovë

19:03 | 3 Mars 2023
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi mirëpritën sot në ndërtesën e Qeverisë një delegacion të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit Amerikan, Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Bankës Amerikane për Eksport-Import, Shoqatës së Biznesit Amerikë – Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë, General Electric, Honeywell, Emerson Electric, Siemens Energy, Advent Technologies, dhe Wethington International. Ky delegacion udhëhiqej nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Duke u uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti vuri theksin te rëndësia dhe veçantia e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

I njoftoi për progresin ekonomik dhe demokratik në vend gjatë dy viteve të fundit, përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, kriza energjetike dhe ajo e inflacionit si pasojë e luftës në Ukrainë.

Si histori e dyfishtë e suksesit, e intervenimit të suksesshëm ndërkombëtar në pranverën e vitit 1999 dhe e bashkëdyzimit të demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik, Kosova është një histori në të cilën ia vlen të investohet, tha kryeministri Kurti.

Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe tha se vizita e këtij delegacioni është në frymën e partneritetit, partneritet ky që është i fortë ndërmjet ShBA-ve dhe Kosovës dhe me prioritet për ShBA-të.

Kompanitë amerikane Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive prezantuan punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.

Paraprakisht, delegacioni amerikan kishin zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila u kishte prezantuar atyre projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë dhe sektorë të tjerë në Kosovë. /arbresh.info/






Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme