Kurti thotë se s’ka ndryshuar asgjë nga 6 kushtet e tij për Asociacionin

16:01 | 2 Mars 2023
Emir Abduramani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në debatin parlamentar sot në Kuvend në lidhje me dialogun, ka thënë se 6 kushtet e tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vlejnë ende.

Para deputetëve sot në Kuvend, Kurti ka thënë se asnjë koncept, qëllim e as kuptim i asaj që ka thënë nuk ka ndryshuar.

“Çka kam thënë për Asociacionin e 6 kushtet gjithçka vlen, po e ritheksoj që nuk kam ndryshuar as në koncept e as në qëllim e as në kuptim. Kam shprehur kritikë të komunave mbi bazë etnike e tash po dëshirohet të kalohet edhe në një stad tjetër, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, është mirë që ndërkombëtarët “janë thirrur në rëndësinë e paqes”, për shkak të veprimeve armiqësore të Serbisë vitin e kaluar.

“Besoj që megjithatë ndërmjetësit kur e kanë shkruar këtë draft, kanë bërë mirë që janë thirrur në rëndësinë e paqes për shkak se ju e dini që fqinji ynë verior ka bërë shumë veprime armiqësore agresive vitin që shkoi”, tha Kurti.

I pari i ekzekutivit ka lutur opozitën që të bëjë kujdes me nenin 7 të propozimit.

“Ka shumv vite që askund Serbia s’na përfaqëson neve me që nga 2008. Mirëpo është diçka tjetër kur Serbia e pranon të heq dorë që të na përfaqësojë kudo, e është stad i ri e cilësor. Me tej unë ju kisha lutur për shume kujdes sa i përket nenit 7”, tha ai.

Ai e ka konsideruar të rëndësishëm faktin që termi “fqinjësia e mirë” po përdoret në këtë marrëveshje, e kjo sipas tij, e formon njohjen ‘de-facto’.

“Është e rëndësishme të përmendet se shprehja fqinjësia e mirë përdoret për herë të parë në marrëveshje se i bie secili në shtëpi të vet, dhe perveç kësaj është mirë të theksohet që neni 1 dhe 4 i marrëveshjes bazike së bashku me konceptin e fqinjësisë së mirë, e formojnë njohjen de fakto. Nuk mund tv gjeni një jursit vendor e ndërkombëtar që nuk e konfirmon këtë gjë”, tha ai./arbresh.info

Të ngjashme