Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk do të takohet me ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Kinës gjatë samitit të kësaj jave të Grupit 20 që mbahet në Nju Dehli.
Ai akuzoi Moskën se nuk është serioze lidhur me dhënien fund të luftës në Ukrainë.
“Nuk kam plane të takohem me asnjërin prej tyre në G20”, tha Blinken për gazetarët në Tashkent përpara se të nisej drejt Nju Delhit, duke shtuar se pret që të marrë pjesë në sesione grupore me ta.
Blinken ka refuzuar të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës një vit më parë, duke hedhur poshtë deklaratat e Rusisë se është e gatshme për të diskutuar për luftën që nisi presidenti rus, Vladimir Putin.
“Nëse Rusia – presidenti Putin – vërtetë janë të përgatitur të angazhohen në diplomaci të mirëfilltë, të nevojshme për t’i dhënë fund agresionit, sigurisht që ne do të ishim të parët që do të punonim për këtë angazhim, por nuk ka asnjë provë për këtë”, tha Blinken.
“Pyetja kryesore është nëse Rusia do të arrijë në atë pikë sa vërtetë të jetë e përgatitur për t’i dhënë fund agresionit të saj dhe ta bëjë një gjë të tillë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
Natali Sevriukova duke qarë pranë shtëpisë së saj të shkatërruar nga një sulm rus me raketa në qytetin e Kievit, Ukrainë, të premten e 25 shkurtit të vitit 2022.
Lavrov dhe Blinken për herë të fundit janë takuar në janar të vitit 2022 në Gjenevë, kur kryediplomati amerikan paralajmëroi kundër pushtimit. Blinken më pas anuloi një takim të ri me Lavrovin kur u bë e qartë se Rusia kishte vendosur ta sulmonte Ukrainën, gjë që ndodhi më 24 shkurt 2022.
Pavarësisht se nuk kanë zhvilluar takim sy më sy, Blinken ka biseduar në telefon me Lavrovin lidhur me një propozim për këmbimin e të burgosurve.
Të dy kryediplomatët morën pjesë në samitin e fundit të G20-s në Bali, që u mbajt korrikun e kaluar dhe Lavrov u largua nga samiti për shkak të kritikave për luftën që bënë zyrtarët perëndimorë.
Ndërkaq, më 18 shkurt Blinken zhvilloi një takim të tensionuar me kryediplomatin kinez, Wang Yi, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryediplomati kinez, Wang Yi, gjatë një takimi në Moskë më 22 shkurt.
Ky takim u zhvillua disa ditë pasi Blinken anuloi vizitën në Pekin, pasi u zbulua një balonë kineze mbi qiellin amerikan, që Uashingtoni tha se përdorej për spiunazh.
Kina së fundmi ka paraqitur një propozim për paqe për Ukrainën. Blinken ka thënë se ky propozim ka “elemente pozitive”, por Kina duhet të vë theksin në rivendosjen e sovranitetit të Ukrainës nëse “është vërtetë serioze” për diplomacinë./rel
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë...
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...