U publikua propozimi i BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu Beograd-Prishtinë: Propozimi i BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
27.02.2023 Bruksel
Palët Kontraktuese,
Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,
Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunim të frytshëm rajonal dhe siguri në Evropë dhe për të tejkaluar trashëgiminë e së kaluarës,
Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,
Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,
Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të qytetarëve,
Kanë rënë dakord si më poshtë:
Neni 1
Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
Neni 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mosdiskriminimin.
Neni 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Neni 4
Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Neni 5
Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e referuara në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.
Neni 6
Përderisa kjo Marrëveshje bazë përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre. Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe nderlidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe të tjera të ngjashme, përmes arritjes se marrëveshjeve specifike. Detajet do të darkordohen në marrëveshjet shtesë të ndërmjetësuara në dialogun e udhëhequr nga BE.
Neni 7
Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Neni 8
Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse qeveritare. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.
Neni 9
Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, nderlidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Neni 10
Palët do të krijojnë një Komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e dialogut nga e kaluara, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.
Neni 11
Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit në aneks të kësaj Marrëveshje./rtk
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...