Google ADS

Pacolli: Kurti e detyroi Serbinë t’ia njohë pasaportën Kosovës

09:50 | 28 Shkurt 2023
A. B.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është personi që ka “detyruar Serbinë që t’ia njohë Republikës sonë pasaportën”.

Në një shkrim në Facebook, një ditë pasi krerët e dy shteteve u takuan në Bruksel për t’u pajtuar për tekstin e propozimit evropian, por pa e nënshkruar, Pacolli ka vlerësuar se me të njihen dokumentet, e sipas saj, “kur ta njeh pasaportën, ta njeh shtetin”.

Megjithatë, në propozim nuk përfshihet njohja de jure. “Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore” është neni i parë i tekstit për të cilin janë pajtuar palët. Për këtë ka shkruar Pacolli.

“Dje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, në Zyrat e Shërbimit të Jashtëm, ndër të tjera tha që me Propozimin e BE-së, Serbia do t’ia pranojë Republikës së Kosovës pasaportën e saj. A më thotë dikush se kush është njeriu që e detyroi Serbinë që t’ia njohë Republikës sonë pasaportën, e cila është dokumenti simbolik më i rëndësishëm i një shteti të pavarur në marrëdhëniet me jashtë? Natyrisht, Kryeministri Kurti”, ka shkruar ajo.

Më tej, sipas saj, “politikanët e së shkuarës vetëm i jepnin Serbisë; tash jetojmë në kohë kur Serbisë nuk i japim më asgjë”.

“Nga negociata për çështje të brendshme tash bëjmë negociata për pranim të shtetësisë e raporte të barabarta në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka përfunduar Pacolli. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme