Analistët serbë: Plani franko-gjerman, kornizë e dialogut Kosovë-Serbi

11:41 | 27 Shkurt 2023
L G

Sot pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksader Vuçiq.

Një njoftimin për medie, BE-ja ka bërë me dije se në takim do të diskutohet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Analistët serbë thonë se plani franko-gjerman është korniza brenda së cilës do të zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot, pas rreth tre muajsh nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Në rend dite është diskutimi i planit franko –gjerman.

Politologu serb, Milivoj Beslin, thotë për Radio Kosovën se BE-ja dhe SHBA-ja kësaj radhe janë shumë të vendosur që Kosova dhe Serbia ta pranojnë planin franko –gjerman, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.

“Aleksandër Vuçiq nuk ka thënë që nuk do e pranojë planin franko- gjerman. Nga e tëra që kam lexuar, ai nuk ka e thënë një jo të qartë, nuk ka thënë as po të qartë. Unë mendoj që në këto rrethana, askush nuk e ka luksin që të thotë jo. Unë mendoj që Vuçiqi, shpreson që Kurti t’i thotë jo këtij propozimi. Unë mendoj që ai nuk do ta refuzojë, por mund të kërkojë diçka shtesë. Ai në një formë është duke e përgatitur edhe opinionin publik në Serbi se nëse e refuzojnë planin franko-gjerman kjo do të jetë katastrofale për Serbinë. Mendoj që Perëndimi kësaj radhe e ka vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kësaj pune, në mënyrë që edhe Serbia edhe Kosova ta pranojnë këtë plan“, deklaroi Milivoj Beslin.

Dragisha Mijaçiq, analist politik, thotë se propozimi franko-gjerman është korniza brenda së cilës do të zhvillohet e ardhmja e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje me email ai thotë për Radio Kosovën se “mund të priten pengesa nga Prishtina ose nga Beogradi rreth dialogut politik, por në fund të dyja palët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve, sepse aty është i vetmi vend ku është e mundur të arrihet një marrëveshje.”

“Është e nevojshme që elitat politike të tregojnë një masë përgjegjësie dhe guximi. Këto janë momentet ku negociohet se ku do të jetojnë shqiptarët dhe serbët në paqe me njëri-tjetrin dhe pranë njëri-tjetrit, ose do të vazhdojnë me konflikte dhe jotolerancë. Politikanët mbajnë përgjegjësinë për të ndërtuar një shoqëri tolerante dhe paqe. Këtë për ne nuk do ta sjellin as amerikanët dhe as evropianët, por duhet ta gjejmë bashkë për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë,” ka thënë Dragisha Mijaçiq.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022. Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi franko-gjerman.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011. /rtk/

Të ngjashme