Google ADS

Paralajmëron Inspekcioni| Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga lokalet që s’kanë leje

09:13 | 26 Shkurt 2023
A Z

Terasat e lokaleve që ishin të vendosura në rrugën “Luan Haradinaj”, nuk janë më.

Kjo, pasi Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ditë më parë ka vazhduar me aksionin për lirimin e hapësirave publike të cilat po shfrytëzoheshin pa leje nga biznese të ndryshme në kryeqytet.

Se ky aksion për lirimin e hapësirave do të vazhdojë në ditët në vijim e thotë për “Arbresh.info” drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi.

Dushi, thotë se lirimi i hapësirave publike do të vazhdoj gradualisht dhe me shumë përkushtim, tek lokalet që nuk kanë leje nga organet kompetente komunale.

“Drejtoria e Inspeksionit ka vazhduar me lirimin e hapësirave publike të cilat po shfrytëzoheshin nga biznese të ndryshme në kryeqytet. Këto ditë, në koordinim dhe me mirëkuptimin e plotë edhe të pronarëve, janë larguar terasat/konstruksionet të cilat ishin vendosur në trotuare përgjatë rrugëve të Kryeqytetit. Aksioni i Drejtorisë së Inspeksionit për lirimin e hapësirave publike do të vazhdoj gradualisht dhe me shumë përkushtim deri në rikthimin e këtyre hapësirave qytetarëve të Prishtinës. Por kjo nuk nënkupton të gjitha lokalet por do të largohen vetëm ato që nuk kanë leje nga organet kompetente komunale”,  thotë drejtori i Inspeksionit Komunal.

Por si mund të ndikojë kjo në Gastronomi, dhe a është ky vendim i duhur, flet për “Arbresh.info”, Arain Vranica nga Shoqata e Gastronomeve.

Ai pohon se zgjidhjet e shpejta nuk janë adekuate për frymën e biznesit, sipas tij, duhet të gjendet një mënyrë tjetër më e përshtatshme që i prek më pak bizneset.

“Zgjidhjet e shpejta normalisht që nuk janë adekuate për frymën e biznesit dhe zbatimit të ligjit. Duhet të gjendet një mënyrë më e përshtatshme dhe të krijohet një strategji e cila i prek më pak bizneset”, shprehet ai për arbresh.info

Vranica, thotë se për tu bërë zgjidhja më e mirë duhet që të bisedojnë bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje më praktike.

“Ne jemi ne koordinim me KK Prishtinë për të ofruar zgjidhje, e do të ishte e udhës që njëjtë siç e kemi vendosur zgjidhjen me të përshtatshme për kontrollimin e zhurmës në sektorin e gastronomisë, ashtu do të duhet të krijonim zgjidhje paralele edhe për respektimin e Ligjit të Duhanit dhe shfrytëzimin/lirimin e hapësirave publike në përputhje me rregulloren Komunale. Për tu bërë zgjidhja më e mirë ne duhet të ulemi bashkë dhe t’i harmonizojmë qëndrimet dhe ta propozojmë një zgjidhje më të ekonomizuar dhe më praktike”, thotë ai.

Megjithatë, Vranica pohon se janë njëzëri për ta respektuar ligjin gjithmonë.

“Për ketë gjë mendojmë që është gabim në hapa, përndryshe jemi njëzëri për tu respektuar ligji gjithmonë”, përfundon Vranica.

E qytetarëve të Prishtinës kjo gjë po ju pëlqen pasi kanë më shumë hapësirë nëpër trotuare. /Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme