LDK kërkon debat parlamentar para takimit të së hënës në Bruksel

12:03 | 23 Shkurt 2023
Emir Abduramani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në emër të grupit parlamentar të LDK-së ka kërkuar debat parlamentar para takimit Kurti – Vuçiq në Bruksel të hënën e 27 shkurtit.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Hoti ka drejtuar disa pyetje në drejtim të kryeministrit Kurti në lidhje me këtë takim, pyetje këto që kanë të bëjnë me planin franko-gjerman.

“Intervenimi im në emër të Grupit Parlamentar për debatin që kishim për dialog, që nuk përfundoi. Kryeministri u largua nga seanca e fundit pa asnjë njoftim. Tash, të hënën është takimi në Bruksel. Nuk dihet çfarë pozicioni do të mbajë Qeveria e Kosovës atje. Pyetjet janë legjitime, cila është përmbajtja e plotë dhe finale e planit franko-gjerman. Cili është qëndrimi i qeverisë ndaj këtij plani? Çfarë vërejtje janë dërguar dhe cilat prej tyre janë marrë parasysh?”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i LDK-së po ashtu pyeti se çfarë vërejtje i janë dërguar fund-vitin e kaluar dhe cilat vërejtje janë marrë parasysh në draftin që do të diskutohet të hënën.

“Cili është qëndrimi i kryeministrit për marrëveshjet paraprake, në veçanti për marrëveshjet për Asociacionin. A është kryeministri kundër kësaj marrëveshje që e ka kundërshtuar. A insiston kryeministri vetëm në marrëveshjen me njohje reciproke, apo është i gatshëm t’i përbijë sharjet dhe kritika nga oponentë politikë që sot janë në opozitë, e ta pranojë marrëveshjen pa njohje duke e lënë problemin të hapur. Është obligim kushtetues që të informohet Kuvendi për këto çështje, dhe që është e domosdoshme që ky debat të kryhet para të hënës”, shtoi Hoti gjatë seancës plenare./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme