Arrestohen dy policë në Mal të Zi lidhur me keqtrajtimin e shtetasit shqiptar

20:24 | 22 Shkurt 2023
E.H

Dy policë në Mal të Zi janë arrestuar për shkak të keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar në pikën kufitare në Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë, konfirmoi Policia malazeze më 22 shkurt.

Arrestimi i zyrtarëve policorë u bë në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria në Ulqin, ku thuhej se ata kishin kapur me forcë fytyrën e shtetasit shqiptar, Petraq Milo.

“Ata dyshohen për veprën penale të keqtrajtimit, që nënkupton përdorim të tepruar të forcës”, tha Policia e Malit të Zi, shkruan REL.

Sipas disa videove të publikuara nga mediat malazeze më 21 janar, policë të Malit të Zi shihen duke nxjerr me forcë nga makina Milon, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.

Këto incizime besohet se datojnë që nga 15 janari, dhe në të, sipas partisë shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, shfaqet shtetasi shqiptar, Petraq Milo, që keqtrajtohet nga zyrtarët policorë.

Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare, është kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, por nuk ka dashur që të prononcohet për rastin.

Ai shkurtimisht ka thënë se “po e ndjek [rastin] në rrugën institucionale”.

Më 22 shkurt, kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se për këtë rast “janë ndërmarrë masa”.

Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.

“Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, u shpreh Abazoviq.

Abazoviqi tha se shpërndarja e videove në këtë kohë lidhet me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.

“Derisa i afrohemi 19 marsit, prisni shumë më shumë video, grafitë, nacionalizëm, tensione, një atmosferë të keqe në raport me boshnjakët, shqiptarët, pakicat”, tha kryeministri i Malit të Zi.

Ky incident ka nxitur reagime në Mal të Zi, sidomos nga partitë shqiptare.

Të mërkurën reagoi edhe kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, duke pyetur se a duhet t’i vijë turp që ka pasaportë malazeze.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme