Shqipëri: Sektori i turizmit në krizë, dështojnë edhe të huajt nga Azia dhe Lindja e Mesme

17:00 | 21 Shkurt 2023
E.H

Sektori i turizmit në Shqipëri pritet të vuajë akoma më shumë mungesën e punonjësve në njësitë akomoduese apo të shërbimit.

Edhe pse fluksi i turistëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, sa vjen dhe rritet nga viti në vit, shërbimi vijon të mbetet një nga pikat e dobëta në këtë sektor.

Të gjendur në këto kushte, shumë administratorë subjektesh turistike aplikuan për të marrë punonjës të huaj, kryesisht nga vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë. Megjithatë, duket që edhe ky eksperiment nuk ka dhënë rezultat.

Por, si janë eksperiencat e administratorëve të hoteleve që kanë marrë punonjës të huaj në sezonin e kaluar veror?

“Kam pasur një eksperiencë të tillë me filipinas. Nuk është se më doli shumë rezultative, të them të drejtën. Nuk besoj se mund ta ripërsëris për herë të dytë”, thotë Arlind Hanaj.

Por përse sektori i turizmit – që rezulton ndër më fitimprurësit në Shqipëri, nuk arrin të joshë punonjësit as vendas dhe as të huajt?

“Puna në sektorin e turizmit na flet për një situatë dramatike për çështje të shfrytëzimit në punë, ose punës së detyruar, orë të gjata pune pa kontratë, pagesa të padeklaruara, por edhe mungesë dhe braktisje totale të sektorit në pikun e sezonit turistik”. /a2news

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme