Blinken kërkon në Turqi anëtarësimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në NATO

11:51 | 20 Shkurt 2023
A Z

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të hënën se Uashingtoni e përkrah anëtarësimin e shpejtë të Suedisë dhe Finlandës në NATO pas hapave që kanë bërë dy vendet, megjithëse se homologu i tij në Turqi e ka theksuar nevojën për hapa më konkret.

Kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në NATO kanë ngecur pasi që Turqia ka refuzuar t’i ratifikojë ato, duke thënë se Stokholmi në veçanti ka strehuar persona që Turqia i cilëson anëtarë të grupeve terroriste. Ankaraja kohët e fundit deklaroi se do të miratonte vetëm anëtarësimin e Finlandës.

“Finlanda dhe Suedia kanë ndërmarrë tashmë hapa konkretë për të përmbushur detyrat në bazë të memorandumit trepalësh të marrëveshjes që ata nënshkruan”, tha Blinken, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht anëtarësimin e tyre në aleancë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai përsëriti se çështja e zgjerimit të NATO-s nuk është një çështje dypalëshe me Turqinë.

Por ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, së bashku me Blinken, tha se të gjitha palët në aleancën veriatlantike duhet ta bindin Suedinë të ndërmarrë më shumë veprime për t’i adresuar shqetësimet e Ankarasë dhe për ta fituar mbështetjen e saj për ofertën.

I pyetur nëse Ankaraja do ta miratonte anëtarësimin e tyre deri në samitin e NATO-s do të zhvillohet në Lituani në korrik, Cavusoglu tha se Stokholmi duhet të bëjë më shumë.

“Suedia bëri një ndryshim ligji, por ne shohim se çdo lloj aktiviteti, përfshirë financimin e terrorizmit, rekrutimin dhe propagandën, po vazhdon në Suedi”, tha ai.

“Nëse ata marrin hapa që e bindin parlamentin dhe popullin tonë, atëherë mund të ketë ndryshime në këtë drejtim”, shtoi ai.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për anëtarësim në aleancën veriatlantike të mbrojtjes pasi Rusia nisi pushtimin në Ukrainë. Por, dy vendet nordike u përballën me kundërshtime të papritura nga Turqia.

Ankaraja dëshiron që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.

Në janar, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ishte i gatshëm për ratifikim vetëm për aplikimin e Helsinkit. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme