Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në këtë konferencë, në kuadër të Panelit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidentja Osmani diskutoi për rëndësinë e kësaj agjende përkrah Zëvendës Presidentes së Republikës së Kolumbisë, Francia Elena Márquez, Ministres Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Svenja Schulze, dhe lideres së opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Në këtë panel, Presidentja Osmani foli për shembullin e jashtëzakonshëm të grave të Kosovës si bartëse dhe pjesëmarrëse aktive në procese historike në Kosovë. Ajo përmendi aktivizmin e pashoq të grave të Kosovë përgjatë një trajektoreje strategjike në vend, nga koha e rezistencës paqësore të viteve të 90ta, përgjatë luftës çlirimtare, si dhe të gjitha fazat e shtetndërtimit. Presidentja Osmani potencoi se gratë e Kosovës janë vetë sinonimi i Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke qenë se ato e kanë jetësuar atë ndër vite.
Duke folur për shembujt e suksesshëm të implementimit të kësaj agjende në Kosovë, Presidentja Osmani theksoi se angazhimi ka qenë i gjithanshëm, duke përfshirë rolin e jashtëzakonshëm të shoqërisë civile, por edhe përgjegjshmërinë e lartë institucionale. Ajo theksoi se janë mbi 20 mijë gra të dhunuara në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi edhe rëndësinë e madhe që ka pas themelimi i Komisionit për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë për të ndihmuar rikuperimin dhe trajtimin e duhur të të mbijetuarave pas përfundimit të luftës.
Ajo theksoi që për shkak të historisë së Kosovës dhe rolit aktiv të grave ndër vite në procese të paqes dhe lirisë, Kosova mund të shihet fare lehtë si epiqendër e diskutimeve strategjike mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ajo përmendi edhe rëndësinë e organizimit të Forumit të parë ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, i cili synohet të bëhet një ngjarje tradicionale me qëllim të rrjetëzimit dhe shkëmbimit të shembujve të suksesshëm të implementimit të kësaj agjende anë e mbanë botës. /arbresh.info/
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia