Një lajm intrigues për komunitetin energjetik të Kosovës erdhi këto ditë nga Greqia. Një termocentral i ri fare me qymyr (linjit), me fuqi instaluese 660 megavatësh dhe i emërtuar Ptolemaida 5, është inauguruar me 13 shkurt 2023 nga kryeministri i këtij vendi, Mitsotakis. Kryeministri grek, me këtë rast, siç raportojnë mediet nga Greqia, kishte thënë se termocentrali i ri është i një rëndësie strategjike për këtë vend.
Në vitin 2019, qeveria e re greke kishte premtuar për të bërë tranzicionin energjetik drejt burimeve të gjelbra, por pak më vonë, e nxitur edhe nga kriza energjetike, ajo kishte theksuar nevojën për të ndërtuar një termocentral të ri me linjit, Ptolemaida 5. Termocentrali ka kapacitet të instaluar të prodhimit të rrymës prej 660 megavatësh, dhe gjatë ndërtimit janë përdorur pajisje moderne që garantojnë uljen e emetimeve. Sipas kryeministrit grek, çmimi i një megavati nga ky termocentral do të jetë 30 euro, dhe i njëjti emeton një ton dioksid karboni për një megavat të prodhuar, krahasuar me 1.4 tonë sa prodhojnë termocentralet tjera aktive në këtë vend.
Siç raportojnë mediet, sipas planeve aktuale, termocentrali do të përdorë linjitin deri në vitin 2028, kur edhe do të zëvendësojë lëndën e parë dhe do të fillojë të përdorë gazin natyror për prodhimin e rrymës. Por, qymyri është rikthyer sërish në përdorim të domosdoshëm kohët e fundit, edhe te shumë vende të tjera, sidomos te ato me ekonomi dhe industri potente dhe me kapital të imponueshëm gjithandej në shumë shtete të Europës. Deri para disa muajsh as që i ka shkuar ndokujt ndër mend, që kaq shpejtë dhe kaq lehtësisht do të mbylleshin sytë për t’u mos u parë pasojat e karbonit, për të cilat bota dhe shtetet e BE-së ‘ag e terr’ nuk pranin duke i alarmuar ato. Sikur u harruan përnjëherë dëmet dhe pasojat nga karboni dhe nga ndotja e ambientit, të publikuara dhe të shprehura gjithandej, në medie, në konferenca, në forume ndërkombëtare, të elaboruara deri në detaje, me shifra grafikone dhe dokumente obligative prej më të ndryshmeve që sanksiononin deri në shpërfaqjen e krizës së rëndë energjetike, përdorimin e thëngjillit si burim energjetik me shekuj, thuaja i pazëvendësueshëm në shumë vende. Të fuqishmit i harruan afatet e përcaktuara për zëvendësimin e megavatëve të energjisë së prodhuar nga thëngjilli me megavatët e premtuar të energjisë së pastër-asaj të rinovueshme. Po i kthehen, pra qymyrit plot vende.
Lufta ruso-ukrainase dhe kriza e shkaktuar nga reduktimi drastik i furnizimeve me gaz nga Rusia, e bëri sërish qymyrin në mënyrë të papritur shumë të kërkuar në Austri dhe Gjermani. Për të shmangur mungesën e energjisë, disa termocentrale gjithandej nëpër Europë kanë paralajmëruar përgatitjet për të prodhuar energji elektrike me qymyr. Nuk e fshehin fare tashmë as Austria e as Gjermania, synimin që centralet elektrike të funksionojnë sërish me qymyr, të paktën përkohësisht, edhe pse një rikthim te qymyri ka shkaktuar zemërim tek ambientalistët në të dyja vendet, duke akuzuar qeveritë përkatëse se kanë braktisur objektivat për të ndaluar ngrohjen globale.
Berlini, përkundër protestave masovike të ambientalistëve pranoi se rikthimi në përdorim i qymyrit është diçka e hidhur por shumë e domosdoshme në këtë situatë emergjence. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë pati paralajmëruar se investimet globale të energjisë do të rriten me më shumë se 8% në 2022 dhe do të arrijnë në 2.4 trilionë dollarë, me një rritje të dukshme për zinxhirët e furnizimit me qymyr, por do të kërkohen shumë më tepër para nëse synimet e lidhura me klimën do të përmbushen. Një numër i ekonomive të mëdha kanë formuluar plane për të reduktuar varësinë e tyre nga hidrokarburet ruse në muajt e fundit, dhe në këto plane gjithnjë e më shumë zë vend rikthimi i qymyrit.
Në Europë, flukset e reduktuara të gazit rus kanë shtyrë, pos Austrisë dhe Gjermanisë edhe disa qeveri të konsiderojnë një rikthim te qymyri. Më konkretisht, Gjermania, Italia, Austria dhe Holanda kanë treguar që të gjitha se termocentralet me qymyr mund të përdoren për të kompensuar një ulje të furnizimit me gaz rus. Në Kosovë, megjithatë, sado që ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara) dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës dhe te dera e kapaciteteve të vjetëruara energjetike, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, pra edhe përkohësisht, është akoma është fare e paqartë. Autoritetet në të shumtën e kohës heshtin, ndonjëherë edhe lansojnë ndonjë parashikim herë se do të rindërtohet tërësisht Kosova A, herë se do të ndërtohen 2 blloqe të këtij termocentrali të stërvjetëruar, dhe së fundi zyrtarët, edhe vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka potencuar se objektiv i rindërtimit të Kosovës A do të jetë vetëm një nga njësitë prodhuese të saj.
Për rikthimin e qymyrit si mundësi dhe si përvojë që po e shqyrtojnë pa frikë tashmë shumë shtete të Europës, sidomos ato të fuqishmet ekonomikisht, nuk flet kush me dëshirë në Kosovë. Madje, ekspertët e shumtë të energjetikës në KEK dhe njohësit e zhvillimeve energjetike më me ëndje heshtin fare, se sa flasin publikisht për nevojat e domosdoshme për të investuar, qoftë në rindërtimin e kapaciteteve të stërvjetruara elektroenergjetike, qoftë në ndonjë kapacitet eventual të ri fare. Me fjalë të tjera, rikthimi i mundshëm i qymyrit në Kosovë është i anatemuar pafundsisht dhe në njëfarë mënyre është bërë temë e padiskutueshme brenda institucioneve, por edhe botës elektroenergjetike të vendit. Edhe në vizionet zhvillimore dhe në dokumentet që përmbajnë këto vizione, qymyri si resurs i deritashëm dhe mbi 90 për qind burim energjetik i vendit, është larguar thuaja tërësisht. Që në fillim të Strategjisë Energjetike 2022-2031, që çuditërisht dhe pa ndonjë sqarim bindës, nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës, ku me shifra dhe afate, parashihet goxha sasi e gjeneruar e energjisë elektrike, por bëhet fare pak fjalë për qymyrin. Ky dokument për zhvillimet e ardhshme energjetike mbështetet kryekëput në prodhimin e energjisë së rinovueshme duke potencuar si objektiv strategjik dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.
“Një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, i integruar në tregun Pan-Evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”, theksohet që në fillim të Strategjisë.
Me fjalë të tjera, hartuesit e Strategjisë Energjetike, me gjasë të ndikuar nga presioni ndërkombëtar i bërë para krizës globale energjetike për dekarbonizimin e sektorit energjetik, kanë anashkaluar thuaja fare përdorimin e qymyrit si burim akoma të nevojshëm. Kanë anashkaluar qymyrin edhe si resurs për të siguruar më shumë dhe më urgjentisht energjinë që na mungon, por edhe në periudha afatgjate, pa dhënë ndonjë sqarim se si do të sigurohet energjia elektrike që i mungon konsumit kosovar më shpejtë, bie fjala gjatë këtij dimri dhe dimrave deri më 2025, kur është parashikuar të shtohet prodhimi i energjisë së rinovueshme në 500 megavatë.
“Vendimi për rinovimin e njësisë së dytë të Termocentralit Kosova A, do të merret më së voni në vitin 2024. Njësia (njësitë) e rinovuar(a) të termocentralit “Kosova” A” do të punojnë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo (këto) njësi do të jetë (jenë) të disponueshme në sezonin e ngrohjes kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësitë e Kosovës A të cilat nuk janë aktualisht në përdorim (A1 dhe A2) do të dekomisionohen, ndërsa njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, sqarohet në Strategjinë energjetike 2022-2031, nga ku nënkuptohet, se deri më 2024 as që bëhet fjalë për investime eventuale në rindërtimin e ndonjë blloku të Kosovës A.
Dhe kjo nënkupton, se as që do bëhet fjalë për rikthim të vëmendjes te qymyri si resurs energjetik, pa të cilin Kosova realisht do ta ketë shumë të vështirë të ketë energji të mjaftueshme dimrave në vazhdim. Por, nënkupton edhe faktin e pakonstestueshëm se në këto vite, pa investime në rinovimin e disa njësive ekzistuese të termocentraleve Kosova A dhe të dy blloqeve të Kosovës B, ose pa rindërtimin e tërësishëm të disa blloqeve të Kosovës A, Kosova nuk do të ketë rrymë të mjaftueshme të vetën, as deri më 2025 dhe as pas këtij viti, kur parashihet që kapacitetet e energjisë së rinovueshme të arrijnë 500 megavatë. Sepse, edhe po qe se Kosova më 2025 do të kishte arritur të ketë 500 megavatë nga energjia e ripërtëritshme, kjo sasi është e barabartë sa prodhimi aktual i një blloku e gjysmë të Kosovës A.
Dihet, se fuqia e instaluar e paneleve solare dhe të centraleve në bazë të erës, asnjëherë nuk mund të arrihet dhe ato rëndom prodhojnë diku të gjysma e fuqisë së instaluar, ndërsa në Kosovë edhe më pak, për shkak të mungesës së bollshme të erës dhe të diellit. Edhe një fakt tjetër tepër i rëndësishëm, dhe për shumë punonjës e ekspertë të KEK-ut, i domosdoshëm, që po anashkalohet nga zyrtarët dhe vendimmarrësit, është rreziku shumë i madh që paraqesin blloqet e aktivizuara, të stërvjetruara, të Kosovës A, të cilat janë në prodhim që nga vitet e gjashtëdhjeta, dhe sot e kësaj dite ato ende prodhojnë, por paraqesin rrezik permanent për punonjësit dhe popullsinë përrreth, nga vjetërsia dhe amortizimi i stabilimenteve të tyre. Dhe, për këtë shkak, këto blloqe të Kosovës A, ose duhet urgjentisht të rinovohen tërësisht, ose duhet vënë dryrin. Tjetër zgjidhje nuk ka, potencojnë në ‘unison’ ekspertët e KEK-ut. “Termocentralet Kosova A duhet ose të mbyllen fare, ose të rindërtohen. S’ka asnjë alternativë tjetër”, kjo ishte përgjigjja e prerë e një njohësi të dëshmuar të zhvillimeve energjetike në vend dhe në botë, në interesimet e mëhershme të Buletinit Ekonomik për “fatin” e mëtejshëm të këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë, dhe si i tillë edhe jo pak i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por edhe më se të nevojshëm për stabilitetin e sistemit eketroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretave të nevojave të konsumit kosovar për rrymë.
Dihet, Kosova A-tre blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në qorrsokak, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës. Sepse, Kosova A akoma prodhon 35 për qind të energjisë elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale edhe për nga vlera financare, kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e fikshme të krizës energjetike, e cila e ka përfshirë tashmë jo pak edhe Kosovën. Sidoqoftë, tani shtrohet pyetja, çka do të bëhet për ta kompenzuar mungesën e energjisë në vitet në vazhdim? A do të ketë Kosova paratë e bollshme për të importuar energji super të shtrenjtë në stinën e dimrit, kur gjithmonë ka qenë më e shtrenjtë energjia elektrike, dhe tani kur ajo mungon gjithandej në tregjet ndërkombëtare të energjisë, s’do mend që do të ketë çmime stratosferike?
Ekspertët që tani, shprehen me pesimizëm edhe për arritjen e synimeve të shtetit që deri më 2025 të ketë 500 megavatë energji elektrike nga kapacitetet e rinovueshme. Si do të arrihet të prodhohet brenda 2-3 vjetësh kjo sasi, kur këto synime akoma janë vetëm vizione dhe projeksione pa asnjë veprim konkret për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme?
Sipas një inxhinieri të KEK-ut, njohës i mirë i zhvillimeve energjetike te ne, që e preferon anonimitetin, për të pasur kapacitetet e energjisë së rinovueshme që më 2025 do të arrinin 500 megavatë, do të duhej tani ndonjë central, qoftë me diell, qoftë me erë, të jetë së paku në fazën fillestare të ndërtimit. Në kushtet optimale, sipas tij, ndërtimi i një kapaciteti të tillë zgjatë 2-3 vjet. Në Kosovë, gjithsesi kjo kohë gjithmonë ka qenë më e gjatë, prandaj do të jetë pikëpyetje e madhe nëse do të arrihen projeksionet e parashikuara me Strategjinë energjetike 2022-2031, për energjinë e ripërtëritshme.
“Strategjia jonë e energjisë është 100 përqind në përputhje me planet e BE-së. Ne si shtet duke qenë pjesë e proceseve të reformave dhe nënshkrues të traktatit të energjisë, mirëpo edhe për agjendën e gjelbër në Sofje, kemi marrë premtime për ta bërë Kosovën shtet neutral sa i përket emetimit të dioksidit të karbonit”, ka thënë sa e sa herë, me rastin e diskutimit publik të Strategjisë energjetike, ministrja Artane Rizvanolli.
Por, me faktin e rikthimit kah qymyri të Gjermanisë, Austrisë, Holandës dhe Italisë dhe së fundi edhe të Greqisë, planet e BE-së kanë ndërruar. Zyrtarët e Kosovës, të pasur me qymyr, duhet ta kenë parasysh këtë fakt. Mos të anatemohet qymyri, as mos të bëhet tabu, siç është bërë në këto vitet e fundit. Duhet menduar dhe analizuar mirë e mirë, pastaj të vendose,t a të flaket ky resurs tërësisht, apo të investohet në shfrytëzimin e tij. Tani, ka pajisje e pajisje, shumë modern e të sofistikuara, që mundësojnë në përqindje të lartë të sigurojnë ambient më të pastër edhe nga djegja e qymyrit. Shtetet e BE-së që po e kthejnë këtë resurs, i kanë parasysh këto fakte. Duhet t’i kemi edhe ne.
Në asnjë mënyrë nuk duhet frikuar skajshmërisht as nga taksa e karbonit, me të cilën deri tash është kërcënuar edhe Kosova si përdoruese e madhe e qymyrit për të prodhuar energji elektrike. Kur është çështje interesi jetik i shtetit dhe interesi nacional, nuk duhet frikësuar shumë as nga vlerësimet jo të pakta të raportit special për tranzicionin e energjisë së gjelbër të Ballkanit Perëndimor dhe këshilltarëve të ndryshëm për energjinë. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor tani përballen me tre opsione, siç tha një këshilltare për energjinë e Evropës Juglindore nga OJQ-ja “CEE Bankwatch” (Si fillim, ata nuk mund të bëjnë asgjë dhe të përballen me taksat CBAM nga viti 2026. Së dyti të prezantojnë çmimin e karbonit për ta përputhur me politikën klimatike të BE-së dhe së treti ta shmangin atë ose të përfitojnë nga një përjashtim në legjislacion – për t’i dhënë hapësirë frymëmarrjes deri në vitin 2030), pse mos të sheshohet mundësia për të zbatuar opsioni i tretë në Kosovë.
“Asnjë prej tyre nuk është zgjedhje shumë e lehtë dhe të gjitha kërkojnë shumë më tepër veprim dhe më shumë vëmendje ndaj kësaj teme”, ka thënë këshilltarja nga “CEE Bankwatch”.
Dhe krejt në fund, domosdo që është më lirë energjia e prodhuar këtu nga qymyri i bollshëm dhe që gjendet thuaja në sipërfaqe të tokës, se sa të sigurohet energjia nga importi me çmimet tashmë të provuara, qoftë edhe me taksa të shtrenjta të karbonit. Të gjitha opsionet duhet menduar shtruar. Kosovës i duhet energjia elektrike për nevojat e konsumit gjithnjë në rritje, por edhe për funksionimin normal të shtetit. /Buletini Ekonomik
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...