Google ADS

15 vjet shtet, Pacolli: Jam shumë krenar që kam qenë një prej nënshkruesve të Pavarësisë së Kosovës

09:11 | 17 Shkurt 2023
A. B.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli e kujton me nostalgji dhe shumë krenari ditën e 17 shkurtit të vitit 2008, kur si deputet i Kuvendit të Kosovës mori pjesë në nënshkrimin e deklaratës së Pavarësisë së shtetit më të ri në botë, Kosovë.

Pacolli, është një ndër liderët e rrallë që ishte pjesë e nënshkrimit të deklaratës së Pavarësisë dhe që vazhdon të jetë pjese e Kuvendit të Kosovës edhe sot, raporton arbresh.info.

Ai, në 15 vjetorin e Pavarësisë, në një intervistë për “Arbresh.info”, na tregon sesi e kishte përjetuar atë moment.

Po ashtu, Pacolli se nuk ka lënë vend në  botë e njeri pa kontaktuar për të mirën e Kosovës.

“Jam shumë krenar që kam qenë një prej nënshkruesve të Pavarësisë së Kosovës dhe kohën prej Pavarësisë e këndej, praktikisht e kam kaluar duke punuar për shtet ndërtimin e Kosovës. Nuk kam lënë vend pa udhëtuar nëpër botë, nuk kam lënë njeri pa kontaktuar në të mirën e vendit tonë, në të mirën e Kosovës. Do doja shumë që këtë intensitet ta bëj edhe në të ardhmen, nuk më mungon energjia e as vullneti”, shprehet Pacolli.

Ai tregon si do donte ta shihte Kosovën në të ardhmen.

“Do doja shumë që Kosova si shtet i pavarur të forcohet, të ec përpara, të ketë një fushë të hapur kudo, të ketë shumë miq jashtë vendit, të jetë një vend i dashur për çdo kënd dhe të merret si shembull i mirë për demokracinë, shtet-ndërtimin, standardin jetësor dhe për implementimin e të gjitha reformave  demokratike”, pohon kreu i AKR-së.

Ai merr si shembull shtetin e Ruandës, një vend që sipas tij, ka arritur shumë shpejtë të rimëkëmbet dhe i bën  thirrje Qeverisë së Kosovës që të bashkëpunojë me këtë shtet.

“Unë ftoj Qeverinë e Kosovës të bashkëpunoj me këtë shtet. Unë isha para disa ditësh atje dhe ekzistojnë mundësitë që bashkëpunimi të rritet dhe njerëzit tanë të shkojnë e të shohin, do të mësojnë shumë gjëra, të cilat do u nevojiten atyre që udhëheqin me shtetin tonë”, tregon kreu i AKR-së.

Edhe ikjen e të rinjve kosovarë nga vendi për në shtetet Perëndimore, Pacolli e sheh në anën pozitive. Ai pohon se ata mund të shkojnë, të frymëzohen dhe të kthehen të investojnë në Kosovë.

“Do doja që Kosova të ishte një shembull i mirë për të gjithë, një shtet që unë kisha me quajt i të rinjve dhe jam i bindur që rinia pa marrë parasysh ku jeton është e Kosovës dhe atyre u rrah zemra për Kosovën. Është mirë që rinia jonë shkon, frymëzohet dhe kthehet e investon në vendin e vetë”, shprehet Pacolli.

Ndryshe, Pacolli përveç që është kryetar i Aleancës Kosova e Re (AKR), është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme