Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se sot Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) iu shtuan edhe 31 oficerë të rinj.
Mehaj përmes një shkrimi në “Facebook”, tha se ndihet krenar për FSK-në, shkruan arbresh.info
“Jemi shtet i vogël por me zemër të madhe”, shkroi Ministri.
Postimi i tij i plotë:
Sot, Forcës së Sigurisë së Kosovës iu shtuan edhe 31 oficerë të rinj.
Në vijim gjeni fjalën time me rastin e ceremonisë së diplomimit të tyre:
I nderuar Gjeneral Jashari, Gjeneral Hoppe, gjeneral të FSK-së,
Të nderuar oficerë,
Të nderuar të pranishëm,
Teksa na ndanë vetëm një ditë nga 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës, dua të shpreh para jush krenarinë që ndjejë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për atë që ju gra e burra përfaqësoni për mua dhe gjithë popullin e Kosovës. E kjo ndjenjë krenarie s’ka dyshim se është rrjedhojë e një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime, mirëpo më shumë se kaq investimin e juaj shpirtëror, gatishmërinë tuaj për t’i përkushtuar jetën atdheut, gatishmërinë për të siguruar jetën e qytetarëve tanë dhe të ardhmen e fëmijëve, ngase armët, tanket nuk janë asgjë nëse nuk ka një shpirt e zemër të fortë, një karakter të qëndrueshëm e vetmohues që i drejton.
Të zgjohesh çdo mëngjes me këtë mision në mendje e zemër është vërtetë fisnike. Është vërtetë ndjenjë e mirë t’i përkushtohesh diçkaje më të madhe se vetja. Dhe është e vështirë, por është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni me jetën tuaj.
Si oficer të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëheqni.
Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit.
Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë!
Janë ushtarakët tanë të Qendrës së Kërkim-Shpëtimit ata që po operojnë në Hatay kur aleati ynë turk ka më së shumti nevojë.
Jeni ju që në vazhdimësi keni treguar profesionalizëm të lartë në çdo garë e trajnim ndërkombëtar.
Janë ushtarakët e FSK-së ata që kanë asistuar misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëve afganë.
Bashkëpunimi i qëndrueshëm që kemi krijuar me shetet partnere është si rezultat i vlerave që përfaqësojmë, dhe reflektim i veprimeve tona. Partnerët tanë njohin qëndrimet tona. Dijnë çka besojmë dhe për çka angazhohemi. Luftojmë vetëm për paqen, ashtu siç të parët tanë, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit bën para nesh.
Jemi shtet i vogël por me zemër të madhe!
Për fund dua të ju uroj diplomimin dhe dijeni se keni 100% përkrahjen e popullit dhe 1000% përkrahjen time. E di se në aspektin matematikor kjo nuk është e mundur, por ju më kuptoni se çfarë dua të them. Si një ish-ushtarak e di se sa sakrifikoni, dhe çfarë jeni në gjendje të arrini.
Nuk ka asgjë që vlerësoj më shumë. Nuk ka asgjë që më bën më tepër krenar se të jem me ju këtu sot, e të shoh Ushtrinë e Republikës së Kosovës teksa zhvillohet.
Urime! /arbresh.info/
“Krejt si unë po më duket”, Anisa shpreh pëlqim për Drilonin
Një tjetër ndryshim po vjen në versionet iOS dhe Android të ...
Shtetet në zhvillim thonë se 300 miliardë dollarët e ndarë p...
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: NATO mbetet aleat i pazëvendësueshëm, anëtarësimi ës...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?