Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone ka bërë të ditur se pasi të pranojë ky i fundit versionin përfundimtar të aktgjykimit të përkthyer në gjuhën shqipe, mund të shtohen arsye shtesë të apelimit të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin Mustafa u dënua me 26 vite burgim.
Këtë deklaratë, ai e bëri në konferencën para Apelit, kur po diskutohej lidhur me përkthimin e aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga zyra administrative, u tha se versioni paraprak i përkthimit të aktgjykimit është dorëzuar sot dhe se pretendojnë të jetë gati ai final jo më vonë se 20 mars 2023.
Pra, sipas tyre, versioni përfundimtar do të shpërndahet në fund të marsit.
Avokati Von Bone, ka thënë se është mirë të kenë versionin përfundimtar pasi i akuzuari dëshiron të kontribuojë për shkaqe të apelit.
“Kemi dorëzuar 9 shkaqe apelimi dhe Mustafa nuk ka pasur mundësi të shoh vendimin dhe ka lexuar vetëm versionin e tij anglisht, ndërkohë anglishtja nuk është gjuha e tij amtare. Nuk është mirë kështu, mendojmë se është e rëndësishme që i akuzuari të jetë në gjendje të përpilojë arsyet e tij të apelimit. Nuk përjashtojmë se kur dorëzohet versioni përfundimtar i aktgjykimit mund të dorëzojmë arsye të tjera shtesë të apelimit, pasi deri tash nuk ka pasur mundësi ta lexojë të plotë”, ka thënë ai, duke shtuar se preferojnë të marrin më herët përkthimin se sa fundi i marsit.
Sa i përket çështjes së paraburgimit, ai ka theksuar se nuk dëshirojnë të ngrenë asnjë çështje në këtë pikë dhe nëse dëshirojnë këtë do ta bëjnë më vonë përmes mocionit të veçantë të apelit.
Ndërsa, prokurori Cezary Michalczuk tha se pozicioni i tyre është që Mustafa duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim.
Sipas tij, ka rreziqe sa i takon pengimit të procesit, por edhe të arratisjes.
“Pas dënimit prej 26 vite, besojmë se përveç rreziqeve që janë konfirmuar nga trupi gjykues, edhe rreziku i arratisjes është i pranishëm në këtë rast”, ka thënë ai.
Ndryshe, kryetarja e Panelit të Gjykatës së Apelit, Michèle Picard, ka thënë se sa u takon dosjeve të apelit, përgjigjeve dhe kundërpërgjigjeve, të njëjtat duhet të jenë në përputhje me numrin e lejuar të fjalëve ashtu siç kërkohet në udhëzues, ku parashikohet se numri i lejuar i fjalëve për dosje të apelit janë 30 mijë fjalë.
“Ju sapo iu referuat numrit të lejuar të fjalëve, ndërkohë thash se kemi 9 arsye për apel, por kemi ndoshta 50 apo 60 nën arsye dhe mund të na duhen më shumë fjalë, parashikoj mbase do të kërkojmë të shtohet numri i lejuar i fjalëve në mënyrë që të mund të bëjmë dosjen tonë”, ka thënë Von Bone.
Ndërsa gjykatësi ka thënë se kur të jetë koha e përshtatshme do të vendosë paneli.
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...