Siri, pas termetit shkatërrues shembja e digës përmbyt fshatin

16:00 | 15 Shkurt 2023
E.H

Fshatrat në veriperëndim të Sirisë po përballen me një fatkeqësi të dyfishtë.

Fillimisht ato u goditën nga tërmeti shkatërrues i së hënës së kaluar, ndërsa shembja e pritave mbrojtëse të një lumi ka shkaktuar pëmbytjen e një fshati dhe rrezikohen edhe shumë fshatra të tjera.

Siria po përballet me një tragjedi të dyfishtë, pas tërmetit shkatërrues, shembja e pritave ka shkaktuar përmbytjen e fshatit Tulul në provincën Idlib të Sirisë veriperëndimore.

Samira Al-Ali, banore e fshatit, tregon për Zërin e Amerikës atë që ndodhi.

“Nuk mund të përshkruhet ajo që ndodhi dhe jehona e rrëkesë së ujit. Ishte një fatkeqësi”.

Fshati Tulul, ashtu si pjesa tjetër e rajonit, po përpiqej ta merrte veten nga termeti shkatërrues. Por vazhdimi i pasgoditjeve çoi në shembjen e pritave që mbrojnë fshatin nga ujërat e lumit Orontes. Ayman Abdo Mohamed është kryetar i këshillit të fshatit Al-Tulul.

“Tërmeti ndikoi shumë tek argjinatura, duke çarë tokën dhe digën mbrojtëse pranë fshatit tonë. Pritat u shembën dhe uji vërshoi në fshat duke shkatërruar plotësisht më shumë se 40 shtëpi”.

Fshati Tulul ishte strehë për shumë refugjatë të zhvendosur nga lufta civile në vend.

Me gjithë përpjekjet e tyre të dëshpëruara, ata nuk mundën ta shpëtonin fshatin, ndërsa 700 familje kanë mbetur pa strehë.

Mustafa Juma Qasimo, tha se u zhvendos në fshatin Tulul për t’i shpëtuar luftës civile.

“E vërteta është se fshati është përmbytur plotësisht dhe banorët kanë braktisur shtëpitë e tyre. U përpoqëm me aq sa mundëm që të mbyllnim pritat për të ndaluar fatkeqësinë, por nuk ja dolëm. Fatkeqësisht fshati është mbuluar nga uji”.

Banorët e fshatit të përmbytur, sikurse mbarë rajoni, po presin për ndihma mes temperaturave të acarta, ndërsa druhen se shembja e digave të tjera mund të shkaktojë përmbytje të tjera.

Kreu i këshillit të fshatit Tulul, Ayman Abdo Mohamed, thotë se banorët kanë nevojë për ndihmë.

“Por kërkojmë nga të gjitha shtetet dhe organizatat që të ndihmojnë në sigurimin e situatës dhe për strehimin e të mbijetuarve nga termeti dhe përmbytja. Shumica e të mbijetuarve u larguan pa asgjë”.

Ndërsa ndihmat ndërkombëtare shkojnë me ngadalë drejt Sirisë, për zonat e izoluara si fshati Tulul i përmbytur nga uji, banorëve do t’u duhet të presin akoma më gjatë për të marrë ndihmën tejet të nevojshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme