Krahas zhvillime të përgjithshme të shtetit, pesëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë së Kosovës, e gjen Forcën e Sigurisë së Kosovës, më mirë se sa që është besuar.
Kështu vlerëson zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili në një intervistë për Radio Kosovën ka folur për zhvillimin e FSK-së, për sfidat, buxhetin, ngritjen e kapaciteteve, për angazhimin dhe për krenarinë që pjesëtarët e FSK-së ia japin secilit qytetar dhe pushtetar të Kosovës. Krenari, për të cilën, siç thotë Syla, duhet të materializohet edhe në pagë më të dinjitetshme për ta.
Radio Kosova: Fillimisht na thoni se si e gjen 15 vjetori i pavarësisë së Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës?
Shemsi Syla: Pesëmbëdhjetëvjetori është një rrumbullakim i një dekade e gjysmë të pavarësisë. Krahas zhvillimeve të përgjithshme të shtetit tonë, edhe Forca e Sigurisë ka ecur, madje mund të them se ka ecur më mirë sesa edhe ne vetë kemi besuar, meqenëse këto dy vitet e fundit sidomos, janë vite shumë produktive, edhe për nga ana e përgatitjes profesionale, trajnimeve dhe stërvitjeve të shumta, por edhe nga ana e blerjeve të pajisjeve që kanë qenë të domosdoshme në synimet tona për të arritur kapacitetet e plota. Fazat tranzitore që e përshkruajnë FSK-në, janë të ngërthyera me shumë detyra të rënda për t’i arritur. Edhe pse janë sfiduese, ne kemi arritur që fazën e parë ta kalojmë mrekullisht, faza e dytë është gjithashtu e rëndë, por që është sfiduese në kuptimin edhe të arritjeve dhe synimeve tona për të qenë të gatshëm për fazën të tretë dhe të katërt kur është përfundimtarja 2028, kur ne dalim me kapacitete të plota operacionale.
Radio Kosova: Këtë vit është rritur edhe buxheti i FSK-së në 123 milionë euro. Ku do të destinohen kryesisht këto mjete, a do përfshihet edhe blerja e armëve, apo është vetëm buxhet siç e ka cilësuar opozita, buxhet i mbijetesës për FSK-në?
Shemsi Syla: Kur përmenda këto dy vitet e fundit, përqendrimin e kisha te buxheti. Ne e dimë se pa buxhet nuk bëhet asgjë. Kështu që falë përqendrimit të Qeverisë me një prioritet që i ka dhënë fushës së sigurisë, e konkretisht ushtrisë dhe kapaciteteve të saj, ne kemi arritur këto suksese dhe njëkohësisht pretendojmë që vitin tjetër të shtohen sukseset tona dhe ne synimin ta përmbyllim para fazës përfundimtare 2028,diku në 2026-ën ne veç jemi të gatshëm për të përmbushur kapacitetet e plota.
Radio Kosova: FSK-ja ka shpesh konkurse për rekrutë të rinj, sidomos në këto dy vitet e fundit. Sa janë të interesuar të rinjtë të jenë pjesë e FSK-së?
Shemsi Syla: Ne kemi bërë pranimin e 1 mijë rekrutëve të rinj dhe kemi në plan prapë, afërsisht 1 mijë të tjerë t’i rekrutojmë. Fazat e mëparshme kanë qenë me përkushtim më të madh dhe me interesim shumë më të madh. Në fazën e fundit ka rënë interesimi i të rinjve, nuk është për t’u shqetësuar, por është më i vogël dhe normalisht që trendët aktualë, daljet masive të të rinjve jashtë vendit, kanë ndikuar që edhe numri i të interesuarve të jetë më i vogël. Megjithatë ne jemi të kënaqur me interesimin dhe me përkushtimin e të rinjve, sepse në fazën e parë që u pranuan 1 mijë, janë jashtëzakonisht të përkushtuar dhe gjithashtu të përgatitur, kështu që cilësia e mbulon atë interesimin më të madh të njerëzve në FSK.
Radio Kosova: Por, z.Syla, është rritur edhe shqetësimi për demobilizimin e vullnetshëm të dhjetëra pjesëtarëve të FSK-së, diku përmendet numri 70 i të demobilizuarve gjatë vitit 2022, kryesisht për shkak të kushteve ekonomike, pagave jo të kënaqshme. A do ta ndalë këtë trend të kërkesës për demobilizim koeficienti i ri në pagës në vlerë prej 105 eurosh?
Shemsi Syla: Normalisht që vetëm një pjesëtar nëse largohet nga radhët tona është shqetësim. Por ky trend që na ka përcjellë në vazhdimësi, e që kanë problematika të njëjta edhe ushtritë e tjera të botës, ne kemi menduar t’i kushtojmë rëndësi më të madhe dhe të kemi debate lidhur me këtë. Të shikojmë prej bazës e deri më lart dhe të shikojmë ku janë shkaqet thelbësore që e kushtëzojnë këtë problematikë kaq të ndjeshme. Mendoj se është një prej shkaqeve edhe paga, por edhe akomodimi i përgjithshëm që i nevojitet një ushtari, për të qenë i denjë në detyrën që kryen. Ne kemi krijuar kushte të favorshme, por nuk mjaftojnë ato. Gjithnjë duhet të jenë kushtet sa më të mira që ushtari të ndihet i plotësuar me të gjitha nevojat që i ka. Normalisht ky koeficient do të jetë ndikues shumë pozitiv tek ushtarët, meqenëse është ngritur paga dhe sot nuk ka asnjë pagë nën 500 euro.
Radio Kosova: A është e mjaftueshme paga 500 euro për ushtarët?
Shemsi Syla: Kurrë nuk është e mjaftueshme, megjithatë është pagë modeste, është pagë e dinjitetshme, sepse nuk është e pakët me këtë buxhet që ka Kosova, në këtë zhvillim që ka, në këtë standard që ka. Por ne do të luftojmë që ajo të jetë më e lartë dhe normal edhe me disa të tjera shtesa që do ta plotësojnë këtë. Besoj që do të jetë mirë ushtari, kur kihet parasysh që ne do të luftojmë që të ketë edhe paga shtesë, të cilat mund të jenë rrezikshmëria dhe disa segmente të tjera të cilat mund të jenë specifike.
Radio Kosova: Po insistoj në këtë z.Syla, për shkak se për askënd më shumë sesa për ushtarët e FSK-së nuk krenohen, si krerët e institucioneve, secili politikan në çdo paraqitje kur bëhet fjalë për FSK-në shprehen krenarë për FSK-në, por ndërkohë vetë ata nuk ndihen krenarë për pagat që i marrin…
Shemsi Syla: Thënë të drejtën, luftë e madhe është bërë nga ne që të ketë vëmendje më të përqendruar në këtë fushë. Unë besoj që kjo që është bërë tani në masën e dukshme është e mirë, pasi që ushtari deri në një shkallë është ngritur, është përcjell ai mesazhi që neve na ka brengosur vazhdimisht që ushtari ta ketë një pagë të dinjitetshme. Edhe oficerët dhe nënoficerët që janë shtyllë e ushtrisë, kështu që edhe për ta duhet të mendohet në të ardhmen që të kenë pagë të dinjitetshme. Në krahasim me rrethanat, me buxhetin që kemi, me standardin e përgjithshëm të popullatës, kjo pagë është e kënaqshme për plotësimin e nevojave elementare, por jo edhe nevojave të domosdoshme që ka ushtari dhe siç thatë, ajo arsyeshmëria e qytetarëve dhe politikanëve, pushtetarëve, që ta materializojnë krenarinë që e ndiejnë me uniformën. Ushtari, siç po e shihni edhe rastin e intervenimit të para ca ditëve në Turqi na kthyen një dinjitet që duhet të mburremi të gjithë, me një aktivizim të shkurtër, por të shpejtë, arritën që në jetë të rilindin dy shpirtra, nënë e bijë. Kështu që ushtarët tanë, jo vetëm që kanë bërë përgatitje dhe e kanë profesionalizmin dhe fushën speciale që janë të trajnuar dhe të shkolluar, por e kanë edhe moralin, shpirtin dhe guximin për të bërë veprën që u takon, për ta realizuar betimin që kanë dhënë, që janë në shërbim të njerëzve, në shërbim të vlerave njerëzore. Kështu që, pajtohem me ju, që pos krenarisë që duhet ta ndiejë çdo qytetar, duhet ta ndiejë edhe pjesë të përgjegjësisë për ta ndihmuar dhe për ta vënë në pozicionin e denjë që ai vërtet të qëndrojë përballë detyrës shumë sfiduese që ka.
Radio Kosova: E përmendet mbështetjen që FSK-ja po ia jep Turqisë, duke përmendur këtë rast, cilat janë angazhimet e FSK-së qoftë brenda, qoftë jashtë vendit dhe ku janë aktualisht duke ndihmuar, nëse ka edhe misione të tjera ku FSK-ja e angazhuar?
Shemsi Syla: FSK-ja është duke i kryer disa operacione jashtë vendit. Ky në Turqi është operacion që e ka arritur kulmin. Ne nuk kemi pasur rast që në operacione të tilla kaq sfiduese t’i kemi ushtarakët tanë. Ushtarakët tanë kanë intervenuar edhe në beteja të shumta, të stuhive e vërshimeve në Shqipëri, por edhe në tërmetin në Shqipëri që ka ndodhur, por ky në Turqi, i kalon ato caqe, sepse ishte një prej tërmeteve më vdekjeprurëse. Ditë më parë ka ardhur një kontingjent i yni që ka qenë në mision zbarkimi në ishujt Falkland. Kemi pasur edhe në Kuvajt dhe ne kemi pretendime që në shumë vende të tjera bashkërisht me shtetet e tjera partnere të krijojmë ura me të cilat do të ishim prezentë në shumë misione ndërkombëtare, meqenëse njësitet tona operacionale me përgatitjet edhe të standardeve të NATO-s janë të gatshëm që të shërbejnë në misione. Kjo do të thotë shumë, sepse ne në një mënyrë po e kthejmë një borxh që kemi ndaj shteteve partnere të cilat dje ishin krah i fortë dhe na shpëtuan që populli ynë të mos pësojë kataklizmin e zhdukjes. Sot pas 20 vjetësh ne e kemi bërë fuqinë tonë, sado që është e vogël ajo forcë, por është shumë e dinjitetshme, për t’u ndihmuar dhe për të qenë krah shteteve të tjera, për të dëshmuar vlerat tona dhe investimin që ka bërë bota në ne, se ne jemi tani prodhues të sigurisë, e jo vetëm konsumues dhe se tani jemi të aftë për ta ndihmuar jo vetëm veten, por edhe të tjerët.
Radio Kosova: Po në vërshimet e para pak javësh në disa zona në Kosovë, pse nuk ishte e angazhuar FSK-ja, me sa e di nuk ishte e angazhuar, apo nuk ishte gjendja aq emergjente?
Shemsi Syla: Ka qenë edhe FSK-ja, por duhet kuptuar një çështje. Në legjislacionin tonë, FSK-ja është forca e tretë e reagimit kombëtar. Janë së pari ato mekanizmat e komunave, janë disa drejtori të emergjencave që drejtojnë mekanizmat për siguri, janë zjarrfikësit, pastaj emergjenca në kuadër të shtetit, pastaj jemi ne faza e tretë e reagimit. Normal që njerëzit gjithnjë kanë pritur që FSK-ja të jetë gjithnjë afër njerëzve, por vlerësimi i komunave dhe emergjencave, nuk e kanë parë të udhës që FSK-në ta kenë në fazën e parë të reagimit. Përkundër këtij fakti, FSK-ja prapë ka qenë, dhe kudo që e kanë ftuar, kudo që ka pasur nevojë, e kanë ftuar. Domethënë është një keqkuptim nëpër media se nuk ka qenë, por nuk është e vërtetë. FSK-ja ka qenë e angazhuar, por nuk ka qenë në fazën e parë të reagimit, por në fazat kur ka qenë vlerësimi për të reaguar.
Radio Kosova: A planifikohen trajnime të tjera për avancimin e mëtejmë të pjesëtarëve të FSK-së për t’i arritur standardet e NATO-s, ndonëse vazhdimisht po themi se i ka arritur maksimalisht këto standarde?
Shemsi Syla: Unë do të thosha se jemi në fazat më të avancuara të zhvillimit tonë, të shkollimit, të trajnimeve, nëpër shtete të ndryshme të NATO-s, nëpër akademi të ndryshme të NATO-s, të cilat janë më moderne dhe reflektojnë profesionalizëm. Të gjitha ato kuadro që janë duke u shkolluar jashtë, janë pasuri shumë e madhe për neve, sepse ata përvojat e tyre i marrin dhe i zbatojnë në njësitet dhe në repartet tona dhe akademitë tona janë shndërruar në një transmetim të vlerave shumë të larta të standardeve të NATO-s. Kështu që në këtë fushë jemi shumë lart dhe jemi në fazën kulmore të arritjeve tona profesionale. Ne tani kemi qendra të trajnimit që trajnohen edhe ushtarakë nga vendet e tjera, siç është Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria. Po ashtu kemi pasur edhe ushtarakë që kemi trajnuar nga Ukraina. Kemi qendrën e trajnimeve ndërkombëtare, që është shumë e fuqishme, ku mund të shkollohen ushtarakë nga e gjithë bota. Është një qendër me standarde më të larta. Është tash faza e licencimit ndërkombëtar. Të gjitha standardet janë arritur vetëm se nuk është bërë, por që është në fazën përfundimtare, që nesër të jetë një qendër shumë e mirë, që do të jetë e gatshme të stërvitë ushtarakë nga e gjithë bota.
Radio Kosova: Cilat janë planet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për ngritjen e kapaciteteve, apo kërkohet buxhet më i madh se ky që është aktual, ose a do të kërkoni që ky buxhet të rritet në vitet në vazhdim?
Shemsi Syla: Në vitin 2022 ishte i ngritur buxheti 52 për qind, në 2023 është ngritur 23 për qind, që do të thotë se është një vëmendje e përkushtuar e Qeverisë për ngritje të buxhetit për ushtrinë. Ne i kemi bërë planet, tash fillon plani i realizimit për synimet tona për vitin 2023. Është plan shumë kompleks, pasi që ka shumë projekte para vetes për realizim, në pajisje, në infrastrukturë, në shkollim, në investime të shumë në projekte që do t’i shërbenin përgjithësisht ngritjes së fazave tona të kapaciteteve ushtarake, sidomos fushës së zjarrit dhe gjithçka që ka të bëjë me terrenin dhe forcave të këmbësorisë që është një bazament i një ushtrie siç ne pretendojmë ta kemi.
Kryeministri australian e pranon me krenari: Jam shqiptar, k...
Izraeli dhe Hezbollahu arrijnë marrëveshje për armëpushim
Gola me bollëk pas pjesës së parë në ndeshjet e Ligës së Kam...
Banorët e Fushë Kosovës nesër do mbesin pa furnizim me ujë t...
Kurti nesër merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës ...
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person