Dega ekzekutive e Bashkimit Evropian ka treguar parashikimin e saj për rritjen ekonomike për vitin 2023 dhe pret që BE-ja të shmangë për pak një recesion.
Komisioni Evropian pret që rritja për 20 vendet e BE-së që përdorin monedhën euro të arrijë në 0.8% dhe rritja e përgjithshme për bllokun 27-anëtarësh të jetë 0.9%.
Meritat e përmirësimit iu dhanë nivelit të lartë të depozitimit të gazit natyror që ka zbutur frikën e racionimit të energjisë gjatë dimrit. Ndërmarrjet dhe qeveritë evropiane u përpoqën të gjenin furnizime të reja alternative pasi Rusia ndërpreu shumicën e furnizimeve të gazit natyror në Evropë, në mes të luftës në Ukrainë.
Çmimet e gazit natyror, i përdorur për ngrohjen e shtëpive, industrinë e karburantit dhe prodhimin e energjisë elektrike, arritën nivele rekord verën e kaluar, duke u rritur deri në 18 herë mbi nivelin e para krizës dhe i bëri familjet dhe bizneset të reduktojnë përdorimin e tyre.
Çmimet që atëherë kanë rënë nga ai kulm, megjithëse vazhdojnë të jenë rreth tre herë më të larta se përpara se Rusia të fillonte luftën në Ukrainë.
“Ekonomia e BE-së i mposhti pritjet e vitit të kaluar, me rritje elastike, pavarësisht nga valët tronditëse nga lufta e agresionit rus”, tha Paolo Gentiloni, komisioneri i BE-së për ekonominë.
“Dhe ne kemi hyrë në vitin 2023 me një bazë më të fortë se sa ishte parashikuar: Rreziqet e recesionit dhe mungesave të gazit janë zbehur dhe papunësia mbetet në një nivel të ulët rekord. Megjithatë evropianët ende përballen me një periudhë të vështirë përpara”, tha ai.
Kostot e energjisë dhe çmimet e konsumit janë ende të larta edhe pas tre muajsh radhazi të rënies së inflacionit vjetor nga kulmi prej 10.6% në tetor, në 8.5% në janar.
Për më tepër, Banka Qendrore Evropiane po rrit ndjeshëm normat e interesit për të frenuar inflacionin.
“Ndërsa presionet inflacioniste vazhdojnë, shtrëngimi monetar do të vazhdojë, duke rënduar aktivitetin e biznesit dhe duke ushtruar një zvarritje të investimeve”, tha Gentiloni./rel
Vuçiqi mohon përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Ib...
Muja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve: Furnizimi i plotë me ...
Osmani takon komandantin e KFOR-it: Sulmi terrorist ndaj inf...
Sulmi në Ibër Lepenc, Osmani priti në takim ambasadorë të sh...
Konjufca: Tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do t...
Sulmi në Ibër Lepenc, Kurti: Institucionet tona të sigurisë ...