Dreshaj i AAK-së për banesat sociale: Këtë premtim unë e shoh si çdo premtim tjetër që nuk i kanë përmbushë deri më sot

11:11 | 12 Shkurt 2023
A Z

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj thotë se premtimi i Lëvizjes Vetëvendosje në fushatën e fundit zgjedhore për banesat sociale, ende nuk ka shkuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas tij, ky premtim i partisë në pushtet është vetëm një nga shumë premtimet që nuk janë realizuar nga VV.

“Këtë premtim të tyre unë e shoh si çdo premtim tjetër që nuk i kanë përmbushë deri më sot. E deri më sot ky premtim nuk ka ardhur në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”, u shpreh Dreshaj.

Ai e sheh si vështirë të realizueshëm këtë premtim, pasi sipas tij mungojnë mjetet e alukuara dhe deri tash nuk ka pasur ndonjë iniciative në këtë aspekt.

“Nuk mund të them si do të veprohet më tutje, përderisa nuk kemi asnjë fond të alokuar, nuk kemi asnjë iniciativë e cila ka ardhë në komisionet gjegjëse, ndërsa as në Kryesi nuk është debatu dhe ende nuk është në rrugë për me ardhë në Parlament për të marrë dritën e gjelbër për finalizim. Mendoj që është premtim i mirë, popullsitë, por sa do të finalizohet mbetet të shihet”, pohoi ai.

Ndryshe, Vetëvendosje në fushatën e zgjedhjeve parlamentare një ndër premtimet e kishte edhe zgjidhjen e problemit të banimit për çiftet e reja dhe disa kategori.

“Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150×150”, ku familjet përfituese do të bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve”, thuhej në programin qeverisës të VV-së.

Po ashtu, thuhej se kjo vlen si për çiftet e reja, gratë kryefamiljare, por edhe shërbyesit publikë, si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike..

“Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit. “Çmimi i ndërtimit për metër katror – Nëse marrim për bazë çmimet e tregut aktualisht, ndërtimi i një metri katror për banim kushton prej 200 deri 300 euro. Marrë parasysh sasinë e ndërtimit, mund të thuhet me siguri të lartë se çmimi i këtyre banesave nuk do të tejkalonte 250 euro për metër katror. Madhësia mesatare e një banese – Nëse krahasojmë madhësinë e në banese me një dhomë ndeje dhe dy dhoma gjumi, përfshirë edhe hapësirat e përbashkëta (korridoret, shkallët) atëherë del se mesatarja e metrave katror për një banesë do të duhej të ishte rreth 80 metra”, thuhej ndër të tjera në programin qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje./Arbresh.info./ Pleurat Salihu/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme