Në kuadër të implementimit të marrëveshjes për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, do të organizohet nesër në Teatrin e Operës dhe Baletit, koncerti simfonik: “Njeriu me armë, meshë për paqe”.
“Njeriu me Armë” është një meshë nga kompozitori nga Wellsi Karl Jenkins, me nëntitull “Një meshë për paqen”. Kjo pjesë është porositur nga Muzeu Mbretëror i Armëve me rastin e festimeve të mijëvjeçarit (1999), dhe i është dedikuar këtë herë viktimave të luftës në Kosovë. Në thelb të saj është koncepti anti-luftë dhe është bazuar në një meshë katolike, të cilën Jenkins e kombinon me burime të tjera, kryesisht nga kënga popullore “Njeriu me Armë” e shekullit të 15-të, në kohët e para dhe të fundit të veprës.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, dhe Ilir Kerni drejtor i Teatrit të Operës së Shqipërisë, dhanë sot një konferencë për shtyp një ditë para mbajtjes së koncertit, ku vlerësuan këtë vepër madhështore dhe mesazhin që ajo përcjell.
“Në skenë do të ngjiten rreth 120 performues, është një skenë madhështore, natyrisht edhe vepra është madhështore, ka një tingëllim mjaft interesant dhe ka një përmbajtje programore shumë prekëse. Që nga fillimi vazhdimisht publiku do të ndjekë pothuajse si më pamje filmike ngjarjet apo procesin e luftës; përshkruhet në detaje përmes muzikës përmes tingujve, këndimit orkestrës, pra fillimi i luftës, pasojat e saj, dhe natyrisht në fund kompozitori përfundon me një mesazh paqeje dhe ndaj quhet “Meshë për Paqe”, ku fjalët e fundit janë më mirë paqe se sa luftë,” tha Baki Jashari, drejtor i Orkestrës Filarmonike të Kosovës.
Ndërsa drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri, Ilir Kerni tha se bashkëpunimi kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës ka nisur edhe më herët, para se të zyrtarizohej nga qeveria, me shafqje të përbashkëta dhe përformance të artistëve të dy vendeve.
“Protokolli i bashkëpunimit për kalendarët artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është një gjë zyrtare. Ne nuk kemi pritur që këtë ta presim nga Qeveria, por kemi vepruar në mënyrë të vetëdijshme dhe shumë praktike, gjë që dëshmon edhe për pjesëtarët tanë të orkestrës që marrin pjesë në orkestrën tuaj, gjë që dëshmon edhe për këngëtarët nga Kosova që vijnë dhe këndojnë në TOB, apo baletin e Kosovës që kanë qenë pjesëmarrës në shfaqjet tona. Gjithashtu do të theksoja se veçanërisht me Baletin e Kosovës kemi shfaqje të përbashkëta që mund të luajnë të dy trupat, dhe në këtë drejtim mendoj se duhet të shkojmë edhe në sektorë të tjerë, gjë që e shoh të mundur që me këtë koncert,” tha Ilir Kerni, drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit në Shqipëri.
Koncerti mbahet nesër në orën 19:00 në TOB në Tiranë. Interpretojnë solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës, ku solistë janë Besa Llugiqi (soprano), Liridon Sadriu (Tenor), Safet Berisha (bariton). Dirigjent është Baki drejtori i Filarmonisë së Kosovës Jashari. “Njeriu me armë” tregon për rrezikun e fillimit të luftës, e kombinuar me momente reflektimi, tregon tmerret që lufta sjell dhe përfundon me shpresën për paqe në mijëvjeçarin e ri, ku “pikëllimi, dhimbja dhe vdekja do të mposhten”./arbrsh.info/
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës
Shfaqen forca të shumta të policisë para nisjes së protestës...