Google ADS

Shqiptarët e Luginës kërkojnë të drejta të barabarta me serbët në Kosovë

16:19 | 10 Shkurt 2023
K.B

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të kenë politika proaktive, duke kërkuar më shumë të drejtë për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Në një bisedë për Radio Kosovën, ai thotë se të drejtat e njëjta të cilat do t’i kenë serbët në Kosovë, duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi.

Radio Kosova: Zotëri Mustafi, Kosova në Bruksel ka nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili në thelb është edhe asociacion një etnik. Marr parasysh këtë, a duhet të kërkojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, formimin e një asociacioni me shumicë shqiptare në Serbi?

Ragmi Mustafi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës që nga viti 2006 kanë aprovuar platformën e përbashkët, i cili në Kuvendin e Këshilltarëve të Përbashkët të Shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit ka në thelb reciprocitetin me të drejtat që i kanë serbët e Kosovës, duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës. Tutje në vitin 2018, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës ka autorizuar institucionet më të larta të Kosovës, që çështjen e Luginës së Preshevës ta përfaqësojnë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Pasur këto parasysh, sigurisht, çfarëdo hapi që do i mundësohet komunitetit serb në Kosovë në avancimin e të drejtave kolektive, do të duhej që po të njëjtat të jenë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Andaj nuk ka asnjë arsye se ajo çfarë i jepet komunitetit serb në Kosovë, t’i mohohet në anën tjetër shqiptarëve të Luginës.

Radio Kosova: Por për vendet e rezervuara. Për shqiptarët, por edhe grupet e tjera të komuniteteve në Serbi, a keni kërkuar që të keni vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë?

Ragmi Mustafi: Sigurisht shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdimisht kanë pasur nga një ulëse në mesin e 250 ulëseve në Parlamentin e Serbisë, në një sistem i cili është proporcional. Por Serbia asnjëherë nuk ka qenë e gatshme, jo që të diskutojnë, madje ata kanë injoruar në vazhdimësi marrëveshjet me përfaqësuesit shqiptarë në Luginë të Preshevës. Pra ne nuk kemi arritur asgjë për sa i përket rregullimit në nivel të Parlamentit. Kështu që do të ishte shumë e drejtë në rast se shqiptarët e Luginës, të cilët nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve, në Rambuje, Vjenë apo edhe Bruksel, të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të inkurajonte hapësirë dhe mundësi më të mëdha edhe për komunitetin shqiptar të Luginës së Preshevës, të cilët janë në një pozitë shumë të vështirë, që kanë problem edhe me të drejtat elementare të njeriut.

Radio Kosova: Ideja e vendeve të rezervuara, ideja e asociacionit një etnik, a duhet të diskutohen, por edhe të përkrahet, për shqiptarët e Luginës, nga Shqipëria dhe Kosova?

Ragmi Mustafi: Absolutisht shqiptarët e Luginës e kanë kërkuar vazhdimisht mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë, e sigurisht edhe të Kosovës. Madje të gjitha kumtesat, deklaratat dhe kërkesat tona i kemi bërë në raport me Kosovën. Ne jemi shumë të bindur, e posaçërisht kohëve të fundit të inkurajuar me përfaqësimin e kryeministrit Kurti, i cili që në takimin e parë me presidentin e Serbisë, i ka shpjeguar atij asimetrinë e të drejtave që ekzistojnë ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar. Kurti ka kërkuar që në kuadër të saj të implementohet çështja e reciprocitetit, si njëra nga normat më elementare të diplomacisë. Aspiratat e shqiptarëve të Luginës të Preshevës janë të përcaktuar që në referendumin e vitit 1992 dhe ne e shohim si një vazhdimësi tutje avancimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi për t’i realizuar ato aspirata. Madje Kosovën e shohim si njërën ndër instrumentet kryesore, e cila duhet të marrë rolin e një politike proaktive, e që tani e ka me qeverinë Kurti, e këtë gjë sigurisht duhet ta mbështesë fuqishëm edhe Qeveria e Shqipërisë./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme