Google ADS

Tri lëndë të kthyera në rigjykim u zvarritën, KGJK i ul pagën për 40% për 6 muaj gjykatësit

09:47 | 9 Shkurt 2023
Emir Abduramani

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim dhe zvogëlimin e përkohshëm të pagës për 40% për gjashtë muaj ndaj gjyqtarit Labinot Zeka, gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me sanksionin disiplinor të shqiptuar nga KGJK, rezulton se gjyqtari Zeka është gjetur përgjegjës sepse nuk kishte ndërmarrë veprime në kryerjen e detyrave zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj në trajtimin e tri rasteve, me çka KGJK ka konstatuar se ka pasur zvarritje të lëndëve.

Sipas vendimin të KGJK-së, të nxjerrë më 3 nëntor 2022, këto lëndë kanë qenë lëndë të kthyera në rigjykim dhe për të njëjtat ka pasur edhe urgjenca nga palët për trajtimin e tyre.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se KGJK pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, konstatoi që gjyqtari Zeka, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të vendosur për tri lëndë, të cilat ishin kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

“Pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, Këshilli konstatoi që subjekti i hetimi disiplinor nuk kishte ndërmarr veprimet e nevojshme për të vendosur për tri (3) lëndët C.nr…., C.nr….. dhe Cp.nr…… të cilat ishin kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, edhe përkundër që ishin parashtruar urgjenca nga pala dhe nuk është gjetur asnjë pengesë që ka mundur të ndikoj në mos trajtimin e tri lëndëve kontestuese”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Tutje, në arsyetim vendimit të KGJK-së, thuhet se gjykatësi Zeka me mostrajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim, nuk ka zbatuar nenin 199 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

“Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrij aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktoj seancën përgatitore apo seancën për shqyrtim kryesor të çështjes e cila duhet te mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtoj të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj“, thuhet më tej, në këtë vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, theksohet se subjekti i hetimit nuk ka zbatuar edhe qarkoren e 4 dhjetorit 2014, të Gjykatës Supreme për trajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim, ku sipas kësaj qarkore është përcaktuar se gjykatësi i ngarkuar me çështjen, e ka për obligim ligjor që lëndën e kthyer në rigjykim ta caktojë menjëherë në afatin e parë kalendarik që e ka të lirë.

Njëra lëndë, sipas këtij vendimi të KGJK-së ka pasur të bëjë me kompensim dëmi për shkak të lëndimit në punë, e cila ishte kthyer në rigjykim dhe gjyqtari Zeka edhe përkundër që kishte kaluar një periudhë kohore më shumë se 1 vit e katër muaj, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

Ndërsa, në arsyetimin e vendimit thuhet se gjyqtari i çështjes ka për detyrim ligjor që në afat prej 30 ditësh, pas pranimit të lëndës në rigjykim, të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale në drejtim të zgjidhjes së saj.

Tutje, në vendim thuhet se edhe për lëndën e dytë në bazë të të gjeturave të Këshillit, rezultoi se subjekti i hetimit lëndën e kishte pranuar nga gjyqtarja S.B, më 27 prill 2021, dhe nuk kishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore për këtë rast, edhe pse lënda ka qenë në procedurë, ku janë mbajtur pesë seanca gjyqësore nga gjyqtarja paraprake dhe konsiderohej si lëndë e vjetër.

Ndërsa, sa i përket lëndës së tretë, KGJK ka konstatuar se subjekti i hetimit nga data kur e ka pranuar lëndën më 1 mars 2021, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të zgjidhjes së saj deri më 25 mars 2022, kur kishte marrë konkluzion, me të cilin ishte urdhëruar kreditori i kundër-përmbarimit të paguajë taksën gjyqësore dhe dorëzimin origjinal apo kopje të noterizuar të aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet edhe se gjykatësi Zeka edhe përkundër që ka pasur obligim ligjor trajtimin e lëndëve të cekura më lartë, i njëjti ka kryer lëndë të tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit.

Po ashtu, sipas këtij vendimi, gjykatësi Zeka gjatë periudhës kontestuese nuk ka mbajtur asnjë seancë për çështje kontestimore dhe nuk ka marrë asnjë vendim meritor, përveç disa lëndëve me natyrë dhunë në familje.

Sa i përket sanksionit disiplinor, në vendim thuhet se Këshilli i shqyrtoi me kujdes masat disiplinore të parapara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe vlerësoi se në rastin e gjyqtarit Labinot Zeka, sanksioni vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për 40% për gjashtë muaj, është masë proporcionale në raport me shkeljen e bërë të gjyqtarit dhe se e njëjta sipas KGJK-së do të shërbejë si masë për disiplinimin e gjyqtarit dhe si preventivë për të ardhmen.

Vendimin lidhur me sanksionin disiplinor të shqiptuar  nga KGJK, e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme me vendimin e nxjerrë më 20 janar 2023.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme