Google ADS

Bislimi: Partneriteti me Finlandën shtrihet në sfera të shumta të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona

17:24 | 7 Shkurt 2023
E.H

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.

“Miqësia dhe partneriteti me Finlandën shtrihet në sfera të shumta të bashkëpunimit në mes dy vendeve tona”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.

Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës në proceset e integrimit evropian.

U riafirmua dhe nga ambasadori Nissinen mbështetja e palëkundur e shtetit të Finlandës në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

“Kosova i përket familjes evropiane dhe hap pas hapi ecën drejt përmbushjes së objektivit strategjik dhe afatgjatë të anëtarësimit në strukturat dhe organizmat evropianë”, tha Bislimi.

Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut ku Qeveria e Republikës së Kosovës ka një qasje aktive dhe konstruktive, është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

“Propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara”, shtoi ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme