Google ADS

Lekaj: Qeveria Kurti të zgjohet nga gjumi, s’ka përparime

10:39 | 5 Shkurt 2023
A Z

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Pal Lekaj në një intervistë të shkurtër për portalin “Arbresh.info”, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend.

Deputeti Lekaj ka kritikuar qeverinë Kurti për këto dy vite qeverisje, sipas tij s’ka pasur asgjë pozitive duke filluar në zhvillimin ekonomik, shëndetësia, arsim dhe mirëqenie sociale.

“Sa i përket qeverisë, jemi munduar edhe si grup parlamentar dhe si subjekt politik që ta analizojmë punën e qeverisë. Kemi qenë konstruktiv në vërejtjet tona, mirëpo fatkeqësisht mund të them se nuk kam parë diçka që kemi pas pozitive, duke filluar në zhvillimin ekonomik, shëndetësi, arsim, mirëqenie sociale dhe nuk ka përparim fare, veç stagnim nga kjo qeveri, sepse jemi mësuar vetëm të marrin vendime ad-hock të pamenduara mirë, pa ndonjë analizë, duke i shkaktuar problem vendit’, tha Lekaj.

Ai thotë kjo qeveri duhet të zgjohet nga gjumi ose sa më parë të shkon në shtëpi.

“Mund të them se për këto dy vite ka notë negative kjo qeveri dhe sa më parë që të shkon në shtëpi, aq më mirë është për vendin. Sa i përket datave, nuk jam ithtar që të caktoj, sepse ne si opozitë nuk i kemi numrat që ta rrëzojmë qeverinë, por mund të them se qeveria duhet vet të kthjellet dhe të zgjohet nga gjumi që për këto dy vjet e kemi parë”, thotë ai.

Lidhur me deklaratën e Kurtit në përvjetorin e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, Lekaj tha se ishte absurde që Kryeministri i Kosovës ta thotë një deklaratë të tillë.

“Sa i përket asaj që ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, ju i dini parimet që i ka pasur si opozitë, e dini se çfarë vlerësimi ka dhënë për të ndjerin, ajo që më ka çudit është fakti që një kriminel të luftës e shpall si hero, dhe kjo ka ndikuar negativisht tek familjarët e dëshmorëve ata që i kanë humbur më të dashurit, është absurde që Kryeministri i Kosovës ka dal me një deklaratë të tillë”, shprehet ai.

Deputeti i AAK-së flet edhe sa i përket pezullimit të përkohshëm të pagave për zyrtarët publik, ai thotë se se ky ligj nuk mund të hyjë në fuqi deri në vendimin final të Gjykatës, e sipas tij për këte arsye LVV-ja ka insistuar që ta miratojë në Kuvend.

Sa i përket pezullimit të përkohshëm të pagave për zyrtarët publik, mendoj se ne i kemi dhënë vërejtjet tona si grup parlamentar i AAK-së dhe po shihet se kemi pasur të drejtë dhe nuk guxon të procedohet deri sa ta merr verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Më vjen mirë, sepse në atë ligj kemi parë që nuk do të ruhet memoria institucionale, por do të ketë ndikime politike dhe mu për atë Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar që ta miratojë në Kuvend”, pohon Lekaj.

Lekaj tutje tregon se ku i sheh vendimet kryesore në atë ligj.

Sa i përket vërejtjeve tona, ne kemi thënë që kanë menduar që politika të ndikojë tek shërbyesit civil që deri më tani nuk ka qenë ajo, pasi dihet që me sekretarët përmanent, sekretarët e përgjithshëm të ministrive, aty është ndalë ndikimi, sepse administrator kryesor i shërbyesve  civil ka qenë sekretari, që nuk ka qenë trupë politike dhe tani këta mendojnë ndryshe, që të ndikoj politika dhe mos të këtë ndarje mes shërbyesve civil dhe pozitës politike. Po ashtu,  tjetra që ka qenë vërejtje serioze ka qenë që të shpallet konkurs çdo katër vjet, e që kjo do të ndikonte në interesa të ngushta partiake, pa marrë parasysh kush vjen në pushtet dhe nuk ruhet memoria institucionale e atyre që janë profesionist.

Ajo që mund të them, unë e kam thënë edhe vërejtjen time në Komision, ku kam thënë që nëse ne e bëjmë performancën çdo gjashtë muaj, çdo vjet, në atë duhet të bazohemi, jo apriori që të shpallet konkursi”, tha Lekaj.

Se a duhet të ketë ligj edhe për punëtorët e sektorit privat, deputeti Lekaj thotë se do të punojnë edhe në këtë drejtim, pasi që në këtë sektor deri më tani është abozuar.

Ke plotësisht të drejtë, sepse duhet të rregullohet me ligj dhe nuk duhet sektori privat të abuzoj me punëtorët, sepse kemi pasur raste eklatante kur janë diskriminuar punëtorët, duke nisur nga ligji për pushime, sa orë duhet të punohet në ditë, apo në javë dhe këtë sektori privat nuk e ka pasur parasysh. Ka pasur shumë punëtorë që janë ankuar që kanë punuar me ditë të tëra, pa pushime dhe i kanë tejkaluar orët që  i cakton ligji. Prandaj, ne duhet edhe në këtë drejtim të punojmë, edhe për pagën minimale, sa mund të jetë dhe kështu të rregullohet  edhe kjo fushë që deri më tani është abuzuar me shumë e shumë punëtor”, tha në fund Lekaj./Pleurat Sejsiu/arbresh.info/

Të ngjashme