Google ADS

Rriten rastet e intervenimeve kirurgjike në zemër, rreth 500 pacientë në listën e pritjes

10:01 | 4 Shkurt 2023
A. B.

Numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për sëmundjet e zemrës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është rritur ndër vite.

Kështu thotë për “Arbresh.info” kardiologu, Daut Gorani në Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë.

Gorani, thotë se vetëm gjatë vitit 2022 në këtë klinikë janë kryer rreth 3 mijë koronarografi, dhe rreth 2 mijë stentime.

“Vetëm vitin e kaluar janë kryer 2.900 koronarografi, ndërsa janë realizuar po ashtu mbi 1.900 stentime”, thotë ai.

Për këto shërbime, sipas tij, pacientët duhet të paguajnë për vendosje të stentës dhe për koronografi, por jo edhe për operacione në zemër.

Gorani shton se shumica e pacientëve nuk paguajnë, pasi disa janë pensionistë, dhe disa të tjerë janë kategori sociale, që janë të liruar nga pagesa.

Ai tregon edhe sa kushton vendosja e një stente si dhe koronografia, raporton “Arbresh.info”.

“Vendosja e një stente kushton 35 euro, ndërsa koronografia kushton 150 euro. Shumica e pacientëve nuk paguajnë pasi disa janë pensionerë, dhe disa janë kategori sociale, që janë të liruar nga pagesa”, tregon kardiologu Gorani.

Gorani: Reparti i Kardiologjisë ka mungesë të infermierëve

I pyetur nëse ka mungesë të stafit në repartin e Kardiologjisë, Gorani thekson se ka nevojë për infermierë shtesë, ani pse kohëve të fundit në këtë klinikë janë transferuar disa infermierë të rinj.

“Ka pasur mungesë të infermierëve, por në kohën e fundit janë transferuar tek ne edhe tre infermierë nga shërbimet e tjera. Akoma ka nevojë për infermierë të tjerë”, pohon ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, lista e pritjes vazhdon të mbetet në funksion, ku aktualisht janë rreth 500 pacientë në listën e pritjes.

“Në dhjetor kemi pasur furnizim të mirë dhe tani presim përsëri furnizim të madh, sepse ne punojmë shumë dhe konsumimi i stentave është i madh”, shprehet Gorani.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 18 milionë njerëz në mbarë botën vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare në vit.

Sipas vlerësimeve, ky numër në vitin 2030 do të shkojë në 23 milionë vdekje në vit.

Faktorët më të rëndësishëm që çojnë drejt kësaj sëmundjeje janë përdorimi i duhanit, ushqimi i pashëndetshëm, mos aktiviteti fizik, konsumimi i ushqimeve që përmbajnë nivele të larta të kripës dhe konsumimi i alkoolit. /Arbresh.info /Kujtesë Berisha /

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme