Google ADS

Reagimi i parë i OVL-UÇK-së pas vendimit të Apelit për Haradinajn e Gucatin

15:07 | 2 Shkurt 2023
K.B

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë, e ka ulur për tre muaj dënimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë shpallur fajtorë në shkallën e parë.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai tha se Gjykata Speciale është gjykatë politike.

“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, ashtu e konsiderojmë se Gjykata Speciale është gjykatë politike. Në vend se të hetohen skandalet e prokurorisë së dhomave të specializuara që ju dolën nga zyrat e tyre në Hagë, gjykata vazhdon me vendim politik ndaj krerëve të OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka shkruar ai.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje. /arbresh.info/

lexo edhe:

Ulet dënimi për tre muaj ndaj Haradinajt dhe Gucatit

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme