Google ADS

Porti i ri i Porto Romanos, Rama takim me kompani ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e tij

18:29 | 1 Shkurt 2023
KRG

Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku kanë zhvilluar pasditen e së mërkurës një takim konsultativ me kompani dhe institucione financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e Portit të ri Tregtar në Porto Romano.

Prezantimi shpjegues i projektit zhvillohet pas një pune përgatitore përmes një konsulence nga Royal Haskoning. Sipas asaj që njofton qeveria, të gjitha fazat e studimeve paraprake janë përmbyllur.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se prania kompanive dhe institucioneve në këtë mbledhje tregon “jo vetëm interes, por edhe besim.”

Rama u shpreh se qeveria është e vetëdijshme për paragjykimet me të cilat duhet të përballet vendi kur vjen puna për të hapur ekonominë dhe për të tërhequr investitorë. Nisur nga kjo, kreu i qeverisë tha se nuk pendohen që po e paguajnë jo aq lirë konsulencën e Royal Haskoning.

Dua t’ju falenderoj sinqerisht për ardhjen deri këtu, për këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare, çka në këndvështrimin tim, tregon, jo vetëm interes, por edhe besim dhe dua t’ju siguroj që ne jemi shumë të vetëdijshëm qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi, kur është fjala për të hapur ekonominë tonë dhe për të hapur dyert dhe dritaret në mënyrë që të gjithë ata që duan të përfshihen në zhvillimet tona ekonomike t’i gëzojnë këto mundësi, ashtu sikundër dua po ashtu t’ju siguroj se në provën e fakteve të gjithë ju do të mund ta shikoni në vetë të parë pse unë ato i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin e përpjekjes sonë për të pasur procese transparente, për të pasur procese me integritet dhe për të pasur procese që në fund shpërblejnë pikërisht ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë kompani me kaq shumë zë, që janë nga njëra anë konkurrenca e lirë dhe nga ana tjetër merita mbi bazën e konkurrencës.

Natyrisht që për ne si vend, i gjithi ky është një proces i shtrirë në kohë. Ne vijmë nga një e shkuar që nuk ka qenë aspak bujare me ne dhe 3 dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për të

ndërtuar një Shqipëri moderne, funksionale e demokratike dhe një ekonomi të hapur dhe konkurruese për të gjithë, mund të konsiderohen shumë, por mund të konsiderohen dhe shumë pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës.

Pikërisht për këtë arsye, duke qenë të vetëdijshëm që eksperienca kaq shumë e nevojshme nuk është në anën tonë, ne gjithmonë e më shumë i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare dhe në këtë rast, një ekselencë ndërkombëtare të padyshimtë, me një reputacion të padiskutueshëm në nivel botëror, siç është kompania Royal Haskoning, e cila po punon intensivisht me një seriozitet, me një korrektesë, me një kapacitet teknik dhe talent për t’u admiruar dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë.

Natyrisht, që të jemi të qartë, nuk po punojnë falas.

Ashtu sikundër, ju e dini që holandezët janë sa të zotë aq dhe të shtrenjtë dhe nuk ka të dytë për aftësinë e tyre për të qenë tregtarë fitues, por hiri i të vërtetës e do që të thuhet që në fund të ditës e meritojnë atë  që marrin. Kështu që, nuk kemi asnjë regret që po i paguajmë këta jo dhe aq lirë.

Besoj që kompania është një nga arsyet, në mos kryesorja, dhe shpresoj që të jetë një nga arsyet dhe jo kryesorja që ju keni ardhur këtu me besim dhe unë dua t’iu siguroj që ne jemi shumë të nderuar që ju kemi juve këtu./A2CNN/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme