LDK reagon në lidhje me koeficientin 105: Kjo tregon edhe një herë se sa larg realitetit është Qeveria

14:54 | 1 Shkurt 2023
Vjollca Gajraku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me koeficientin 105.

Përmes një komunikate thuhet se LDK me shqetësim ka përcjellur situatën e krijuar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e vlerës së koeficientit për vetëm 105 euro për punëtorët e sektorit publik.

“Në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale të viteve të fundit, LDK konsideron se partia në pushtet ka thyer premtimin e tyre për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm pas rritjes së kostos së jetesës. Koeficienti i ri prej 105 euro do të thotë se Qeveria ka vendosur të ulë pagat për mijëra punëtorë në gjithë Kosovën dhe s’i rritë mjaftueshëm për shumë të tjerë”.

“Mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, policët, ushtarët, nëpunësit civil – këto janë profesionet që janë themeli i shoqërisë sonë dhe kanë sakrifikuar më së shumti në kohët më të vështira për vendin tonë. Koeficienti i Qeverisë është një goditje e madhe për njerëzit e zakonshëm që përpiqen të përballojnë jetesën gjatë një krize të paprecedentë të kostos së jetesës” thuhet në komunikatë.

Sipas tyre ky vendim i Qeverisë tregon se ata nuk i kuptojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm në mbarë vendin duke u përpjekur të kalojnë kushtet e vështira ekonomike. Kjo tregon edhe një herë se sa larg realitetit është Qeveria.

“LDK ka propozuar vlerën e koeficientit prej 125 euro për të bërë një ndryshim të vërtetë për ata që kanë nevojë më shumë për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës. Menjëherë LDK do të dërgojë dhe amandament në Kuvendin e Kosovës. LDK do të punojë në vazhdimësi për mbrojtjen e punëtorëve dhe familjeve duke argumentuar domosdoshmërinë e një koeficienti më të lartë dhe pagave më të drejta për të përballuar këtë krizë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme