LDK merr pjesë në takim për Asociacionin: Qeveria të marrë pjesë, të mos fshihet prapa akuzave ndaj opozitës

10:53 | 30 Janar 2023
A Z

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar për një ftesë që e ka marrë nga ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier për të marrë pjesë në takimin e nesërm lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas LDK-së, qeveria po fshihet prapa akuzave ndaj opozitës.

LDK-ja thotë se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”.

Njoftimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës është ftuar nga ambasadori i SHBA-së, që të marrë pjesë në takimin e nesërm, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.

Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme.

LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme